Vendosni fjalën kyçe....

Rama shpall Olta Xhaçkën investitor strategjik


Një qeveri mblidhet dhe merr vendim për t’i falur bregdetin një anëtari të saj. Nuk është imagjinatë. As ndonjë ndodhi në republikat afrikane. Është ngjarje reale në mes të Europës.

Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi një vendim, i cili i jep lejen per te perdorur për 30 vjet një sipërfaqe të madhe bregdeti në Gjilekë të Himarës një kompanie të quajtur AGTCC Hotel Management. Kompania do të ndërtojë aty një resort të pagëzuar me emrin Dreamades Luxury Suites. Më parë, në mars të vitit të kaluar, ky subjekt ka marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike edhe statusin e investitorit strategjik. Por kush qëndron pas AGTCC Hotel Management?

Sipas ekstraktit nga Qendra Kombëtare e Biznesit, pronare e kompanisë AGTCC Hotel Management është një shtetase amerikane nga Massachusettsi e quajtur Tawni Lin Grzych-Sutton. Pa asnjë eksperiencë në biznes dhe pa burime të njohura financiare për të ndërtuar resort, 30 vjeçarja nga Massachusettsi ja ka dalë të marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare e madje dhe një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar në Gjilekë të Himarës. Bingo.

Pyetja që lind natyrshëm është cili është çelësi i suksesit për studenten amerikane të Epokës? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Zonja Sutton është thjesht një koperturë, që maskon pronarin real që po gllabëron bregdetin e Himarës.

AGTCC Hotel Management është themeluar në 25 qershor të vitit të kaluar. Veprimet për regjistrimin e saj në QKB janë kryer nga Iris Erebara. Zonja Erebara është juristja e kompanisë AG. TCC, që zotërohet nga Artan Gaçi, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Por lidhjet nuk mbarojnë këtu.

Adresa e kompanisë AGTCC Hotel management është në një dyqan në pallatin Kristi-Co, që gjendet në Rrugën“Dervish Bej Mitrovica.” Në të njëjtën adresë, në të njëjtin dyqan gjendet edhe dy kompani të tjera. Ato quhen Peninsula Development dhe Generate.

Peninsula Development ka administrator shtetasin Idlir Lopçi, që është njëkohësisht edhe ish-administratori i kompanisë AG. TCC që zotërohet nga familja e zonjës Xhaçka. Kompania tjetër Generate zotërohet nga Andi Canaj. Ky është punonjës i kompanisë AG TCC të Artan Gaçit. Të paktën ka qenë deri në qershor të vitit të kaluar kur ka kryer veprime në emër të kësaj kompanie.

Në fakt Peninsula Development, Generate dhe AGTCC Hotel Management janë satellite të pronarit real, që po merr tokën në bregdetin e Himarës. Ajo është kompania AG TCC në pronësi të familjes së ministres së Jashtme.

Madje së fundmi kjo kompania ka shtuar në vendet ku ushtron aktivitetin edhe adresën Gjilekë Himarë, pikërisht në vendin ku do të ndërtohet resorti Dreamades Luxury Suites. Për ta thënë më shkurt. Edi Rama shpalli investitor strategjik ministren e tij të Jashtme dhe një ditë më parë i fali edhe bregdetin. Aty ku do të ndërtohet resorti luksoz. Ndoshta me burim financimi të ardhurat nga paga.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e MCN TV