Vendosni fjalën kyçe....

Një kryeministër shqiptar në Mal të Zi, Gjukanoviç mandaton Dritan Abazoviçin për formimin e qeverisë së re


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka njoftuar sot se po i jep mandatin për formimin e qeverisë së re liderit të Lëvizjes Qytetare (GP) URA, Dritan Abazoviç.

Vijesti raporton se Gjukanoviç dhe Abazoviç janë takuar më herët gjatë ditës së sotme, kur presidenti i Malit të Zi e ka njoftuar zëvendëskryeministrin se i ka përfunduar konsultimet dhe se ka ndërmend t’i japë mandatin.

Gjukanoviç tha se përfaqësuesit e GP URA dhe partnerët e tyre politikë e kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të në Kuvend dhe se për këtë arsye ka marrë vendim që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë Abazoviçit.

“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që ta sjellë sa më shpejt të jetë e mundur qeverinë me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres Parlamentin malazez që së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozim të kryeministrit.”– ka përfunduar Gjukanoviç.

Ai shtoi se partitë tjera parlamentare nuk kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në konsultime për këtë temë.