Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë zgjedh më 15 Mars anëtarin e ri të Kushtetueses


Të martën e 15 Marsit, Gjykata e lartë do të mblidhet për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

“Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në prani të gjithë gjyqtarëve në detyrë të kësaj gjykate, ka miratuar më datë 24 shkurt 2022 vendimin ‘Për Miratimin e Rregullores së Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese’.

Kryetari në detyrë z.Sokol Sadushi, referuar nenit 7/ç, pika 3 dhe nenit 86, pika 5 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 ‘ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’ (i ndryshuar), si dhe nenit 18 të Rregullores, do të thërrasë Mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të zgjedhur anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, ditën e martë, datë 15.03.2022, ora 13.00.”- thuhet në njoftimin për media të Gjykatës së Lartë.

Kujtojmë se më parë Gjykata e Lartë nuk po përparonte dot me zgjedhjen e anëtarëve që zgjidhen prej saj në Kushtetuese.

Kjo për shkak se kishte në përbërje të saj 9 gjyqtarë nga numri i përgjithshëm prej 19 gjyqtarësh, “ndërkohë që sipas ligjit nevojiten të paktën 10 gjyqtarë për të konsideruar të vlefshme mbledhjen e posaçme për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.”

Për këtë arsye Gjykata e Lartë i kishte bërë thirrje KLGJ-së që të veprojë pa vonesë për plotësimin e numrit të anëtarëve të saj… në mënyrë që të mund të procedonte më pas me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kushtetueses.