Vendosni fjalën kyçe....

Koncesionet e HEC-eve, në 6-mujorin e parë të vitit hynë në prodhim 14 të rinj


Të paktën 14 hidrocentrale të rinj hynë në prodhim në pjesën e parë të këtij viti, nga të cilët 3 të lidhur në sistemin e transmetimit dhe 11 në rrjetin e shpërndarjes.

Të dhënat nga bilanci i sektorit në këtë 6-mujor raportuar nga tre operatorët kryesorë të tregut pranë Entit Rregullator të Energjisë japin pikërisht këto shifra. Hidrocentralet që kanë nisur prodhimin për herë të parë janë pjesë e kontratave koncesionare të nënshkruara prej vitesh me qeverinë shqiptare dhe përfshijnë projekte nga Veriu në Jug.

Konkretisht kanë hyrë në punë HEC-et Arsti, kaskada Gjadër, Dragobia, Muras, Trojet e kështu me radhë për të vazhduar me Gjinar, Backa, Plepi apo Zall Xhuxhë.

Për HEC-et private deri në 15MW kapacitet të instaluar (prodhues me përparësi të energjisë) kuadri ligjor parashikon blerjen e energjisë së tyre nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Mbetet ende i paqartë numri total i hidrocentraleve që janë përfshirë në kontrata koncesionare dhe në ato që miratohen vetëm me firmën e ministrit për kapacitet deri në 2MW Prej kohësh nuk ka më ndonjë bilanc mbi ecurinë përveç një skanimi të nisur nga MIE tre vite më parë ku vetëm pak subjekte u penalizuan për shkak të mosrespektimit të afateve.

Hidrocentralet privatë po mbajnë një peshë konstante nga viti në vit me tendencë në rritje sa i takon prodhimit total të energjisë në vend e lidhur kjo me numrin gjithnjë në rritje të centraleve që vihen në operim.

Treguesit zyrtarë të raportuar nga vetë kompanitë e sektorit pranë ERE-s tregojnë se totali i prodhimit të energjisë në vend në 6-mujorin e parë të vitit ishte 6 milionë MWh nga të cilat 57% është prodhuar nga kaskada e Drinit që administrohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ndërkohë që pjesa tjetër është 43%.

Kjo e fundit përbën jo vetëm energjinë e prodhuar nga prodhuesit me përparësi, por edhe nga ata të pavarur të tillë siç janë investimet mbi kaskadën e Devollit nga Devoll Hydropower apo ato të bëra nga Ayen Enerji me HEC-et Peshqesh dhe Fangu. Po kështu edhe HEC-i i Ashtës.

Prodhimi në pjesën e parë të vitit u paraqit më mirë në raport me një vit më parë ndërkohë që tashmë një pjesë e konsumit po mbulohet nga importet në tregun e lirë që kanë shënuar çmime të larta për shkak të zhvillimeve në bursa./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor