Vendosni fjalën kyçe....

Japonia bllokon 1.6 milion doza të vaksinës Moderna, gjen material të huaj brenda shisheve


Rreth 1.6 milion doza të vaksinës Moderna kundër Covid-19 po tërhiqen nga qarkullimi në Japoni si një masë paraprake pasi një material i huaj u zbulua në disa shishe. Në vend ka nisur menjëherë një hetim për ngjarjen.

Ministria e Shëndetësisë tha të enjten se ka tërhequr dozat e prodhuara në të njëjtën linjë prodhimi pas konsultimeve me prodhuesin e ilaçeve Takeda, i cili është përgjegjës për shitjen dhe shpërndarjen e vaksinës në vend.

Takeda i kërkoi Modernës të kryejë një hetim urgjent pasi substancat e huaja u gjetën në 39 shishe të papërdorura. Materiali në fjalë besohet të jetë disa milimetra në madhësi, megjithëse elementët e tij ende nuk janë përcaktuar, raportuan mediat japoneze, duke cituar kompaninë Takeda dhe ministrinë.

Në një deklaratë për mediat, Moderna konfirmoi gjetjet dhe tha se ishte duke hetuar rastin.

“Deri më sot, asnjë çështje sigurie ose efikasiteti nuk është identifikuar,” tha kompania me qendër në SHBA, duke shtuar se deri më tani nuk mund të komentojë se si janë ndotur saktësisht disa shishe të saj.

Ministria e Shëndetësisë tha se beson se rreziku nuk është i rëndësishëm, por e sheh pezullimin si një masë paralajmëruese, sipas Kyodo News.

Prania e materialit të huaj u konfirmua që nga 16 gusht në tetë vende të vaksinimit në prefekturat Tokio, Ibaraki, Saitama, Gifu dhe Aichi. Kompania Takeda e njoftoi Ministrinë e Shëndetësisë për çështjen të mërkurën.