Vendosni fjalën kyçe....

Japonia drejt gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të shifrave të larta me Covid, Lojërat Olimpike mund të luhen pa spektatorë


Qeveria japoneze ka vendosur të shpallë një gjendje tjetër të jashtëzakonshme në Tokio që përkon edhe me kohëzgjatjen e Lojërave Olimpike. Një veprim që rrit mundësitë për ndalimin e pjesëmarrjes së të gjithë spektatorëve.

Siç shkruan “Daily Mail”, kryeqyteti i Japonisë është aktualisht nën një gjysmë gjendje të jashtëzakonshme, e cila pritet të skadojë të dielën. Por ndërsa jemi vetëm dy javë larg Lojërave, masat më të forta të vendit pritet të rikthehen deri më 22 gusht për shkak të një rritjeje të rasteve të koronavirusit.

Ky vendim, që do të shpallet të Enjten, do të ketë një efekt madhor në Olimpiadën, që zgjat nga data 23 korrik deri më 8 gusht.

Politika aktuale e spektatorëve lejon që vendet të mbushen deri në 50% të kapacitetit me një maksimum prej 10 mijë mbështetësish.

Por me një gjendje të katërt të jashtëzakonshme që tani është vendosur të deklarohet, organizatorët do të takohen për të diskutuar një kufizim të mëtejshëm në numrin e turmave, e një ndalim i plotë për të gjithë tifozët në Tokio është duke u konsideruar seriozisht. Rregulla të ndryshme mund të zbatohen për eventet që ndodhin jashtë qytetit pritës.

Shigeru Omi, këshilltari kryesor i qeverisë për shëndetin, tha se “preferohet që eventet të zhvillohen pa spektatorë” dhe se “imazhet e spektatorëve do të dërgonin një mesazh kontradiktor”.

Tokio konfirmoi 920 raste të reja të Covid-19 të mërkurën, më e larta që prej 13 Majit.