Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk është telefoni për këto biseda”- Dalin në medie bisedat e ish-kryebashkiakut Tushe, si i kërkoi biznesmeni të ndërhyjë për objektin pa leje


Publikohen në media detaje nga dosja hetimore e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.

Ish-kryebashkiaku sipas organit të akuzës dyshohet të ketë ndërhyrë duke favorizuar një ndërtim pa leje.

Në dosjen hetimore të siguruar nga ‘Balkanweb’, rezulton se Tushe bisedon me një biznesmen i cili i ankohet se një prej inspektorëve i ka bllokuar punimet ndërtimore.

Biseda e përgjuar mes Ismail Bllikut dhe kryebashkiakut Tushe është zhvilluar mesditën e datës 5 mars 2021, rreth orës 11:45 minuta.

“Për gjykatën, në lidhje me këto episode u njoftua se shtetasi Fatos Tushe komunikon me një person me emrin Ismail Blliku, me nr. 069 ******8, me të cilin bisedon lidhur me një ndërtim që po kryen ai në fshatin Shegas dhe për faktin se një inspektor i quajtur F.L i ka ndërprerë punimet, ndërkohë që shtetasi Fatos Tushe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë i thotë t’i flasë në emrin e tij.”-thuhet në dosjen hetimore.

Blliku i përgjigjet: “Përshëndetje Kryetar, jam Ismail Blliku, nga Shegasi, kemi biseduar bashkë… kam ulur një plan shtëpi aty dhe më ka ardhur Fatos Lulja dhe me ka pezulluar punimet…”

Tushe ia kthen: “Mirë mirë, i thuaj kam folur me kryetarin dhe telefoni… të thash unë më duket.. ky telefon nuk është për këto lloj bisedash merre rrugën … ju ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu… telefoni nuk është për këto lloj bisedash … hajt.”

Sipas Prokurorisë, shtetasi Ismail Blliku bisedon me kreun e Bashkisë Fatos Tushe, duke i kërkuar ndërhyrjen e tij për të mos pasur probleme me inspektoriatin ndërtimor të cilët kishin vajtur për kontroll në një objekt që ai po e ndërtonte përballë një qendre shëndetësore.

Sjellim ndërmend se një ditë më parë kryeministri Rama ka shkarkuar nga detyra kryebashkiakun e Lushnjës pas arrestimit të tij nën akuzat për korrupsion.

Tushe akuzohet për korrupsion lidhur me një tender për një kanal vaditës me vlerë rreth 24 milionë lekë të reja.