Vendosni fjalën kyçe....

Njohja e patentave me Italinë, Endri Hasa: Proces i nisur 12 vite më parë nga PD-ja, por Rama e ndërpreu


Ish-deputeti demokrat Endri Hasa, thotë se njohja e patentave nga Italia është një proces i nisur nga PD-ja 12 vite më parë, por që ishte ndërprerë nga kryeministri Edi Rama, i cili sot mburret për këtë arritje.

“Historia e njohjes së patentave me Italinë është një histori dështimi 5 vjeçar i qeverisë së Edi Ramës. PD mundësoi 12 vjet më parë njohjen e patentave shqiptare nga Italia, por ky proces i rëndësishëm u ndërpre gjatë qeverisë së Edi Ramës.

Me nxjerrjen e patentave të reja në 2017, shqiptarët e humbën të drejtën e fituar që në 2009-ën. Qeveria e Edi Ramës e zvarriti vit pas viti, duke qenë e paaftë të jepte një zgjidhje të shpejtë për diçka kaq të rëndësishme. Mospërditësimi në kohë i marrëveshjes ekzistuese krijoi probleme për emigrantë dhe shqiptarët që udhëtojnë në Itali.

Një qeveri që mashtron vit pas viti, siç bëri edhe me negociatat me BE, dhe nuk do t’ia dijë për njerëzit, duhet larguar me votë.”– shkruan Hasa.

Sipas tij, interesat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit mund t’i çojë përpara vetëm Lulzim Basha si kryeministër.

“Ai mund të rivendosë besimin me partnerët europianë dhe të hedhë hapa konkretë për anëtarësimin në BE, njësoj siç bëri me anëtarësimin në NATO dhe me heqjen e vizave për shqiptarët.  Është koha për ndryshim! Në 25 Prill shqiptarët do të votojnë ndryshimin!”– shkruan Hasa.

Ky reagim i Hasës vjen pas firmosjes së marrëveshjes me Italinë për të njohur patentat shqiptare.