Vendosni fjalën kyçe....

Maqedonia e Veriut shpall gjendje të jashtëzakonshme edhe për 8 ditë të tjera


Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme edhe për 8 ditë të tjera, deri më 22 qershor.

Sipas zyrës së Presidentit Stevo Pendarovski, ky vendim është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas një propozimi të paraqitur nga Qeveria.

“Partitë politike kanë arritur një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 15 korrik 2020. Në këtë drejtim, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja e qetë e zgjedhjeve, dhe veçanërisht zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kontekstin e virusit Korona të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.”- thuhet në deklaratë, citon Alsat.

Ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia ka parë rritje të numrit të të infektuarve nga koronavirusi gjatë ditëve të fundit.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 5 pacientë. Numri i përgjithshëm i viktimave mbërriti në 193. Po ashtu janë regjistruar 103 rastet të reja me CoVid-19 duke e çuar numrin e përgjithshëm në 4157. Shqetësues është edhe numri i rasteve aktive, i cili është për 518 më shumë se sa të shëruarit.