Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e parë e Antikorrupsionit, Rama: Ky problem nuk është zgjidhur në asnjë shtet të botës


Në këto momente po zhvillohet konferenca e parë kombëtare e Antikorrupsionit.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama foli për arritjet që qeveria ka bërë në këtë drejtim. Ai tha se korrupsioni është një çështje që nuk është zgjidhur as në vendet më të zhvilluara.

Por shton se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë, ku korrupsioni sipas tij “ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të.”

Rama u shpreh se vetëm para pak vitesh ka pasur shumë arbitraritet, mungonte transparenca dhe jepeshin para në dorë.

 “Konferenca synon të zbardhë rezultatet dhe problematikat në këtë betejë të përditshme dhe përgjatë gjithë frontit të marrëdhënies së shtetit me qytetarët, dhe nga ana tjetër, të ndajë këto rezultate e problematika me të gjithë drejtuesit e shërbimeve publike, por edhe me përfaqësuesit e drejtorive apo të zyrave të caktuara të shërbimeve publike.

E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit të antikorrupsionit me këtë konferencë, sepse besojmë që është shumë e rëndësishme të ndajmë me publikun edhe vështirësitë, si dhe të përpiqemi të vendosim në një perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme, e cila asnjëherë nuk mbaron, pasi në asnjë shtet të botës, që nga ato më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht, por për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë, kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të. Ka qenë deri para pak vitesh, koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt të drejtpërdrejtë dhe kur shërbimet e përmuajshme, si pagesa e dritave, qytetarët duhet të qëndronin në radhë të gjata, në shi apo diel, që t’ju jepej mundësia të paguanin.

Ka pasur arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë cilësia dhe transparence dhe shumë para nën dorë. Nga ana tjetër për të kaluar në zemrën e sistemit, sistemi ishte i kapur nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një Pazar ku e drejta shitej ose blihej. Pavarësisht se brenda sistemit kishte njerëz të ndershëm tërësia e sistemit të bënte të pamundur.”– tha Rama.