Vendosni fjalën kyçe....

Viti mbyllet me paradë valsesh në Pallatin e Kongreseve


Ky vit mbyllet me nje shfaqje vjeneze nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Mbrëmja gala “Alles Walzer”, do të mbahet në Pallatin e Kongreseve mbrëmjen e 28 dhjetorit, ora 19.00.

Paratë e mbledhura nga ky koncert i titulluar “Të gjithë për të kërcyer” do të shkojnë në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Është bërë traditë tashmë, përgjatë gjithë historisë së tij, që teatri i Operës koncertin e fundit të tij, ia dedikon publikut si mesazhin e tij dhuratë për ta.

Në mënyrë të veçantë vjen edhe si një mesazh optimist për jetën, dashurinë që duhet të kemi për njëri-tjetrin. Por edhe ndihmën që ne i japim njëri-tjetrit për të ndërtuar edhe rindërtuar jetën. Të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë në shërbim të familjeve të dëmtuara nga tërmeti, për të rindërtuar jetët e tyre”- është shprehur Zana Çela, Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Koreografi Renato Zanella sjell grand galanë vjeneze nën dirigjimin e Ernst Theis në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë.

As kësaj here nuk do të mungojnë urveturë nga Johan Strauss II, Emmerich Kalman edhe shumë vepra të tjera, nën interpretimin e Dorina Selimajt, Armando Likajt, Renisa Lackas, Nina Muhos, Xhieldo Hysenit, Vikena Kamenica, Eva Golemit, Dion Gjinikës, solistëve, orkestrës, korit dhe trupës së baletit të Teatrit Kombëtar të  Operas dhe Baletit.