Vendosni fjalën kyçe....

Reagon zyrtarisht policia: Shoqërimi i Alizotit u bë me urdhër të prokurorit


Pas publikimit të dëshmisë së Fredi Alizotit mbrëmjen e kaluar, vjen reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit. Përmes një njoftimi, mohohet përfshirja e drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, në shoqërimin e Alizotit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Po ashtu dhe deklarata e Alizotit në videon e publikuar nga deputeti Ervin Salianji mbrëmjen e kaluar, konsiderohet si e pavërtetë. Përsa i përket shoqërimit të Alizotit, njoftohet se është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, me urdhër të prokurorit të çështjes.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti. Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË.

Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera. Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”. Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës.

Me këtë rast bëjmë me dije publikisht se në lidhje me çështjen hetimore të sipërcituar Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vetë, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë, ose të gjykatës. Në këtë kuadër edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes. Ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Jemi të hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji publikoi mbrëmë në emisionin ‘Opinion’ ku ishte i ftuar, një video në të cilën shfaqej Fredi Alizoti, i cili deklaronte se i është bërë presion nga Drejtori i Policisë dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për të deklaruar se zëri në audiopërgjimin e Agron Xhafajt, ishte i tiji dhe jo i vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Në videon e publikuar,  Fredi Alizoti  tregon se si Ardi Veliu e merr në makinë , ku së bashku me Taulant Ballën,  i ofrojnë lek për t’u ofruar si aktor.

“Drejtori i Përgjithshëm më ka marrë në telefenon dhe më tha ku je të vij të të marr, ka ardhur makina e zezë MB dhe më ka marrë më ka çuar në prokurori”, janë fjalët e Alizotit në video.

Po ashtu ai përmend edhe emrin ‘Taulant’, që sipas deputetit Salianjit, është  kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *