Vendosni fjalën kyçe....

Veliu reagon pas dëshmisë së Alizotit: E morën në makinë shefat e Fierit, jo unë


Drejtori i Policisë Ardi Veliu ka reaguar pas publikimit të videos së Fredi Alizotit, i cili deklaronte se ai i ka bërë presion për të pranuar se zëri në audiopërgjimin ndaj vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj,  është i tiji.

Në një prononcim për Koha Jonë’, Veliu thotë se ndodhet në SHBA, ndërsa e mohon që ta ketë marrë Alizotin në makinë.

“Me një milion përqind garantoj publikun shqiptar se atë person nuk e kam takuar dhe se nuk ka asnjë shans që ai person, që foli në video, të ketë hipur në makinën time. Atë person e ka sjellë në Tiranë drejtori dhe zv/drejtori i policisë së Fierit. E kanë çuar direkt te Krimet e Rënda. Kjo është e vërteta”– ka thënë Veliu.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji publikoi mbrëmë në emisionin ‘Opinion’ ku ishte i ftuar, një video në të cilën shfaqej Fredi Alizoti, i cili deklaronte se i është bërë presion nga Drejtori i Policisë dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për të deklaruar se zëri në audiopërgjimin e Agron Xhafajt, ishte i tiji dhe jo i vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Në videon e publikuar,  Fredi Alizoti  tregon se si Ardi Veliu e merr në makinë , ku së bashku me Taulant Ballën,  i ofrojnë lek për t’u ofruar si aktor.

“Drejtori i Përgjithshëm më ka marrë në telefenon dhe më tha ku je të vij të të marr, ka ardhur makina e zezë MB dhe më ka marrë më ka çuar në prokurori”, janë fjalët e Alizotit në video.

Po ashtu ai përmend edhe emrin ‘Taulant’, që sipas deputetit Salianjit, është  kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Po ka ardh Taulanti më ka dhënë dhe kafe. Më bënte presion më thonte me kë je, me ne apo me ata.”, vazhdonte Alizoti në dëshminë e dhënë.

Fredi Alizoti deri dje ishte dëshmitari kyç i Prokurorisë dhe kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë që ai ishte aktori, që luajti rolin e vëllait të Ministrit të Brendshëm. Mirë me publikimin e fundit, ky version duket se nuk qëndron më./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *