Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Kosovës gjen kamera në kufirin Kosovë-Serbi, të vendosura për të vëzhguar rrugët


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi) kanë gjetur dy kamera me panel solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët.

Në njoftimin e policisë thuhet se dyshohet se kamerat janë vendosur nga persona të dyshuar që merren me kontrabandë të mallrave.

 “Njësia e TASK FORC-ës-Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës), pas pranimit të informatave nga Njësia e Inteligjencës e Policisë Kufitare Lindje, për dyshime të vendosjeve të paautorizuara të kamerave në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, më 06.05.2024, në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi), kanë gjetur dy kamera me solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët”, bëhet e ditur në njoftim.

Policia njofton se në të njëjtin vend është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar, me dy shtetësi (të Serbisë dhe Kosovës).

Ai dyshohet se ka shkuar në zonë për t’u kujdesur për kamerën që pak më parë e kishin sekuestruar efektivët.