
Persona të armatosur vranë të paktën 18 persona në shtetin Benue, në veri të Nigerisë, gjatë një sulmi të ndodhur në fundjavë, thanë banorët dhe zyrtarët lokalë. Ngjarja nxiti protesta të banorëve të zemëruar, të cilët marshuan në rrugë dhe bllokuan qarkullimin.
Shteti Benue është përballur shpesh me përplasje mes komuniteteve bujqësore dhe barinjve të bagëtive, si edhe me sulme nga grupe të armatosura. Konfliktet lidhen kryesisht me konkurrencën për tokën dhe burimet natyrore.
Zëdhënësja e policisë së Benues, Udeme Edet, dha një bilanc më të ulët të viktimave, duke deklaruar se tetë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur në sulmin që ndodhi në orët e para të së dielës.
Sulmi ndodhi në komunitetin Otukpo-Nobi, në zonën administrative të Otukpo, ku banorët thanë se persona të armatosur, të cilët dyshohen prej tyre se ishin barinj Fulani, hapën zjarr mes orës 03:30 dhe 04:30 të mëngjesit.
Kryetari i qeverisjes vendore, Maxwell Ogiri, e lidhi shpërthimin e dhunës me vrasjen e kreut të shoqatës së barinjve, e ndodhur dy javë më parë.
Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, shkruan Reuters.
Pas ngjarjes, gra dhe të rinj nga komuniteti i prekur marshuan në qytetin Otukpo për të protestuar kundër dhunës dhe pasigurisë në zonë.