Vendosni fjalën kyçe....

Serbia kërkon investitorë amerikanë pavarësisht dështimit të hotelit të Kushner


Dështimi i projektit për ndërtimin e një hoteli me markën Trump në Beograd nuk e ka zbehur interesin e Serbisë për të tërhequr më shumë investime amerikane, sipas presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiç.

Projekti i hotelit, i mbështetur nga investitorë ku përfshihej edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, u braktis pas protestave masive dhe akuzave se qeveria serbe kishte lëshuar leje ndërtimi në mënyrë të paligjshme.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili ka përballuar më shumë se një vit protesta kundër qeverisjes së tij, që kritikët e përshkruajnë si gjithnjë e më autoritare dhe të korruptuar, i tha “Financial Times” se mbetet i angazhuar për të tërhequr investime amerikane.

“Amerikanët janë njerëz të zgjuar… që kërkojnë një ndikim më të madh. Ne duhet të kemi një marrëdhënie të mirë me SHBA-në dhe mezi pres të fillojmë atë dialog strategjik,” tha ai.

Vuçiç tha se e konsideron presidencën e dytë të Trumpit “një ndryshim të madh” krahasuar me mandatin e parë. “Këtë herë ata janë edhe më të përqendruar te çështjet e biznesit dhe shumë të gatshëm për të sjellë investitorë financiarë dhe të llojeve të tjera në Serbi,” u shpreh ai.

Ai promovoi sektorin energjetik të vendit — i cili për një kohë të gjatë ka qenë i dominuar nga Rusia — si një fushë me potencial të madh për investime amerikane.

“Përmes sektorit të energjisë, amerikanët mund të kenë një ndikim të vërtetë dhe një rol të rëndësishëm në vitet dhe dekadat që vijnë,” tha Vuçiç.

Ai përmendi planet për ndërtimin e një hidrocentrali shumë miliardësh në lumin Danub, një qendër të madhe të të dhënave në jugperëndim të Serbisë, si dhe burime të energjisë së rinovueshme për furnizimin e saj.

Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj kompanisë NIS, rafinerisë së vetme të naftës në Serbi, për shkak të pronësisë ruse, megjithëse ka dhënë vazhdimisht përjashtime të përkohshme për shtyrjen e zbatimit të tyre, ndërsa Beogradi kërkon një zgjidhje.

NIS ka bërë të ditur se ka përfunduar bisedimet me kompaninë hungareze MOL për marrjen e 56% të aksioneve që aktualisht zotërohen nga Gazpromneft. Vuçiç tha se është i bindur se MOL do ta blejë pjesën ruse, duke reduktuar ndikimin e Moskës në sektorin energjetik të Serbisë dhe në rajon.

Ai tha se SHBA-ja dhe Rusia kanë rënë dakord për “diçka që është mes tyre” dhe se Beogradi ka marrë “një lloj paralajmërimi miqësor” se përjashtimi nga sanksionet mund të mos rinovohet kur të skadojë në fund të korrikut.

“Amerikanët janë të vetmit që mund t’i zgjidhin të gjitha çështjet,” shtoi ai.

Departamenti amerikan i Thesarit nuk dha menjëherë koment për këtë çështje.

Vuçiç argumentoi se lidhjet e tij të gjata me Trumpin — si një nga të paktët liderë evropianë ende në detyrë që kanë shërbyer gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan — dhe aftësia e tij për të tërhequr investime amerikane do ta ndihmojnë Serbinë të ruajë ritmin e rritjes ekonomike dhe atë vetë të qëndrojë në pushtet.

Por opozita e sheh ndryshe situatën. Savo Manojloviç, lider i lëvizjes opozitare “Kreni-Promeni” (“Nisu-Ndrysho”), tha se akuzat për korrupsion, përfshirë ato që lidhen me projektin e dhënë kompanisë së lidhur me Kushnerin, “përbëjnë një shembje të plotë të shtetit të së drejtës”.

“Vuçiç nuk është një lider që e qeveris shoqërinë në mënyrë efektive. Ai është burimi kryesor i tensioneve dhe paqëndrueshmërisë,” tha Manojloviç.

Projekti i hotelit Trump u pezullua vitin e kaluar pasi qeveria serbe u akuzua se kishte miratuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në territorin e ish-selisë së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ishte bombarduar nga avionët amerikanë gjatë fushatës së NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999.

Polemika shtoi presionin ndaj Vuçiçit nga një lëvizje protestash e udhëhequr nga studentët, e cila është bërë sfida më e madhe ndaj 13 viteve të tij në pushtet.

Protestat nisën pas shembjes së një stacioni hekurudhor të ndërtuar si pjesë e një projekti hekurudhor të mbështetur nga Kina, ku humbën jetën 16 persona dhe që nxiti akuza për korrupsion të rrënjosur në qeveri.

Pavarësisht trazirave, Vuçiç nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të largohet nga pushteti. Ai ka premtuar të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare deri në fund të vitit dhe të kandidojë për postin e kryeministrit, një pozicion që e ka mbajtur më parë dhe që do t’i lejonte të anashkalonte kufizimet kushtetuese të mandatit presidencial.

Në intervistë, Vuçiç fajësoi Bashkimin Evropian për nxitjen e kundërshtimit ndaj investimeve të lidhura me Trumpin në rajon, përfshirë edhe në Shqipëri, ku një projekt i lidhur me Kushnerin ka shkaktuar atë që është quajtur “Revolucioni Flamingo”.

“Evropianët ishin shumë mbështetës të të gjithë atyre që ishin kundër këtij lloj investimi,” tha Vuçiç. “E kuptova menjëherë këtë. Kjo është arsyeja pse [Kushneri] u tërhoq dhe ne u tërhoqëm në një fazë të hershme. Në Shqipëri çështja shkoi në një fazë tjetër dhe tani ata kanë probleme shumë më të mëdha sesa ne.”

Komisioni Evropian dhe eurodeputetët i kanë bërë thirrje Shqipërisë, e cila ashtu si Serbia synon anëtarësimin në BE, që të respektojë rregullat e bllokut për mbrojtjen e mjedisit dhe tenderët publikë kur u jep investitorëve si Kushneri të drejtën për të zhvilluar projekte pranë zonave natyrore të mbrojtura.

Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë për projektin e hotelit Trump në Beograd.

“Ne mirëpresim angazhimin ndërkombëtar që mbështet stabilitetin, prosperitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit,” tha Komisioni.

Shqipëria duhet të tregojë përputhshmëri me standardet mjedisore përpara se të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE, shtoi Komisioni.

Vuçiç e përshkroi episodin e hotelit Trump si “një dështim të madh timin”, duke thënë se kishte nënvlerësuar vendosmërinë e Evropës për t’i rezistuar një pranie më të madhe tregtare amerikane në rajon.

“Nuk e kuptova se sa e rëndësishme ishte për Evropën t’u tregonte amerikanëve se kush është shefi i vërtetë në kontinent,” tha ai.

Sipas tij, BE-ja “po kujdeset për interesat e veta”.

“A mendoni vërtet se ata do të ishin të lumtur të shihnin investitorët amerikanë duke zënë vendin e tyre këtu?” përfundoi Vuçiç.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT