
Kreu i qeverisë këmbënguli se projekti në Zvërnec do bëhet dhe do jetë krenari për Shqipërinë dhe Evropën.
I pyetur për çështjen në fjalë, ai tha se projekti është ambicia e tij ndërsa shtoi se çdo gjë do bëhet duke respektuar standarded e BE-së.
“Nga vitet e gjata në detyrë, kur thua Bruksel është fjalë shumë komplekse. Për ne të gjithë zërat janë mjaft të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht, zëri i Komisionit. Komisioni është në krye të gjithçkaje duke qenë shumë i mirëinformuar bazuar në fakte. Në këtë botë informacioni dhe pikëpamjeve të debatueshme ku e vërteta gjen gjithnjë e më pak hapësirë, komisioni mbetet në fakt ai që mban fort objektivitetin sepse punon bazuar në fakte, të dhëna, burime të verifikuara. Jam i sigurt që edhe ju, nëse do të kishit interes për faktet, për të dhënat, burimet e verifikuara do të kuptonit se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk mund të shihet askund sepse s’është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave që prej ditës së parë. Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar tek e vërteta. Për ne vlen libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe Komisionit të BE. Ideja që Shqipëria do të vazhdonte përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve ateistë në Shqipëri është pretendim pa bazë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipëri dhe Europën. Kjo është ambicia ime. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për vete dhe Europën. Do të jemi rigorozë për të mos kërkuar asgjë veç standardeve më të larta”, tha Rama.