Vendosni fjalën kyçe....

A po futet Shqipëria në një cikël të ri?


Nga Kristiana Filip

Çfarë është një paradigmë? Po epokat si ndahen?

Fjala paradigmë vjen nga greqishtja e lashtë – paradeigma – (nga shqipja mua më ngjan si “para-dija”) dhe do të thotë “shembull” ose “model”, por kuptimi që iu dha në shekullin e njëzetë është më i madh. Filozofi Thomas S. Kuhn e nxori këtë fjalë nga harresa akademike dhe e vendosi në qendër të mendimit modern me librin e tij The Structure of Scientific Revolutions (Struktura e Revolucioneve Shkencore), botuar në 1962. Për Kuhnin, një paradigmë është shembulli ose modeli i një arritjeje të madhe shkencore – si teoria e gravitetit e Newton (Njutonit), ose teoria e relativitetit e Einstein (Ajnshtajnit) – që ofron inspirim dhe udhëzim për mënyrën se si duhet bërë hulumtimi shkencor. Nuk është një set rregullash eksplicite, por “tregon rrugën” qartazi.

Me fjalë të tjera: paradigma nuk është vetëm një teori, por është korniza brenda së cilës një teori ka kuptim. Është mënyra se si një epokë e kupton realitetin – çfarë pyetjesh bën, çfarë metodash pranon, çfarë konsideron të vërtetë pa pyetur fare.

Kuhn e karakterizon shkencën normale si praktikën e paradigmës mbizotëruese dhe eksploron proceset që çojnë në zhvendosje paradigmatike, nga një paradigmë e vjetër tek një e re, përballë dështimit shpjegues. Këto zhvendosje paradigm shifts – nuk ndodhin lehtë. Ato ndodhin gjithmonë përballë rezistencës intensive të praktikuesve të paradigmës ekzistuese, të cilët kanë interesa sociale dhe personale në ruajtjen e status quo-s.

Shembulli klasik: për mijëra vite, paradigma mbizotëruese ishte ajo gjeocentriste – Toka në qendër të universit. Copernicus (Kopernikusi), Galileu (Galileo) Kepleri (Kepler) me modelet e tyre të sistemit diellor nuk ndryshuan vetëm një teori, por ndryshuan mënyrën se si njerëzimi e kuptonte vendin e vet në kozmos. Kjo është zhvendosje paradigmatike.

Kuhn vetë pranoi se me kalimin e kohës kishte “humbur kontrollin e fjalës” dhe paradigma u bë kaq e përhapur sa u zbraz nga kuptimi. Sot dëgjojmë “paradigmë e re” në reklama, në politikë, në biseda kafeje. Por ideja origjinale mbetet e fuqishme: një sistem i pranuar njohjeje mendimesh dhe besimesh që nuk përparon në mënyrë lineare dhe kumulative – ajo kalon nëpër thyerje radikale, ku një kornizë e tërë e të kuptuarit zëvendësohet nga një tjetër.

Kur unë shkrova “Paradigma të Reja” për prezantimin tim për 2026, isha e vetëdijshme për gravitetin e fjalës, ndaj dhe përfshiva përkufizimin e saj, dhe tani do përpiqem të të udhëheq dhe ty te trajektorja e mendimit tim.

Si fillim, le të pranojmë se zhvendosjet e paradigmave lidhen ngushtësisht me epoka, breza apo gjenerata, dhe kalimi nga një te tjetra janë zhvendosjet që manifestohen. 

Epoka & Gjeneratat: Midis Sociologjisë dhe Rendit Kozmik

Historianët dhe sociologët e ndajnë kohën në gjenerata. Boomers, Gen X, Millenials, Gen Z – etiketa që pretendojnë të shpjegojnë se kush jemi, si mendojmë, çfarë duam – në thelb caktojnë paradigma epokash. Por si vendosen këto kufij? Kush i vizaton vijat?

Duket sikur askush nuk i vizaton me saktësi. Nuk ekziston një organ zyrtar, nuk ka as formulë shkencore. Sociologët vëzhgojnë ngjarje historike, krizat ekonomike, teknologjitë që ndryshojnë jetën e përditshme – dhe pastaj vendosin kufi atje ku duket se ndodhi një thyerje. Pew Research Center propozon të dhëna (data), marketierët promovojnë dhe etiketa hyn në qarkullim.

Por edhe brenda kësaj qasjeje, mosmarrëveshjet janë të vazhdueshme. Disa e mbarojnë Millennials-in në 1994, disa në 1996. Disa e fillojnë Gen Z-në në 1995, disa në 1997. Dikush i lindur në 1980 dhe dikush i lindur në 1996 janë teknikisht e njëjta gjeneratë edhe pse jetuan fëminëri krejtësisht të ndryshme. Dhe kjo nuk prek fare çështjen e klasës sociale, racës, gjeografisë – variabla që e bëjnë çdo etiketë gjeneracionale të duket e çuditshme (nga çdo mendje racionale).

Problemi thelbësor është se sociologjia po kërkon ndarje të pastra në një fenomen që është natyrshëm i rrjedhshëm. Gjeneratat (brezat) njerëzore nuk ndryshojnë me çelës magjik – ata kalojnë gradualisht, si valë mbi valë. Apo?! Mos ka shpjegim hyjnor atje ku mendja racionale njerëzore dështon dhe pranon egzistencën e një “çelësi magjik”?

Këtu hyn astrologia. Po më pyete mua “çelësi magjik” ose më saktë – përkthyese e tij!

Jo si konkurrente e sociologjisë, por si sistem alternativ i leximit të kohës – me logjikën e vet, me markuesit e vet, dhe saktësinë e vet të veçantë (do thoja edhe modestisht, të pashoqe kundrejt çdo sistemi tjetër matës) astrologjia vrojton dhe interpreton lëvizje kozmike që shkojnë përtej, ama diktojnë, njeriun dhe njerëzimin!

Në astrologji, janë planetet e largët, ata ku duket se drita e Diellit shkon me kursim dhe pikërisht ata që ne do kishim pritshmëri të kishin më pak ndikim (me logjikën e distancës) në impaktin kuantum-fizim të energjisë tokësore, në fakt më të fuqishmit! (Madje si rregull, sa më i largët dhe më i ngadaltë – aq më i fuqishëm dhe ndikues është një planet.) Këta i quajmë planetet e gjeneratave – Urani, Neptuni, Plutoni – të largët dhe të ngadalë në korsitë e tyre të gjata rrotull Diellit. Aq ngadalë sa qëndrojnë vite, madje dekada, në të njëjtin copëz të qiellit (që në astrologji e ndajmë në 12 pjesë të barabarta që i quajmë shenja të Rrotës së Zodiakut). Këta planete unë i quaj artileria e rëndë e kozmosit (the big guns)! (Uroj të kuptoni në fund që këtu ka një lojë gjuhësore – pun intended.) 

Në artikullin e kaluar, ju prezantova me Uranin dhe ciklet e tij 84 vjeçare. Sot do t’ju prezantoj me Neptunin si planet i rradhës më i largët, dhe marrëdhënien e tij me Saturnin. Do të lëvizim ndër vite dhe do arrijmë te sotmja – si gjithmonë kuptojmë kohën si spirale ku e shkuara (historia) na informon për të tashmen. Do të përdorim shenjuesit kozmikë – artilerinë e rëndë – për të kuptuar gjeneratat sipas çelësit magjik dhe paradigmat përkatëse , si edhe ku ndodhemi ne – shoqëria dhe Shqipëria – sot!

Më lejo të të prezantoj artilerinë: Nisim shkurt me Saturnin dhe pastaj Neptunin…

Në kupolën e qiellit, Saturni është planeti i fundit i cili shikohet me sy të lirë nga njeriu. I njohur nga antikiteti si kufiri i sistemit diellor, ai gjithmonë ka simboluziar limitin, barrierën, matjen e kohës (dhe karmës), strukturën (dhe shkërmoqjen e saj), përgjegjësitë e rënda,  fundin, vdekjen, aplikimin e ligjit. Në terma më praktike: ligjet, strukturat dhe institucionet qeveritare, muret, gardhet, statujat dhe betonimi, dhe çdo gjë që korresponson simbolikisht me tipar ndarës, të ngurtë dhe të ftohtë do të ishin nën umbrellën e tij.

Ndërkohë, vetëm dy korsi më tutje, njeriu u vetëdijësua për ekzistencën e një trupi qiellor i cili, herë i dukshëm e herë jo, ishte i vështirë të spikatej. Ky trup qiellor si sferë e kaltër që edhe me teknologjinë më moderne duket se ka aftësinë të fshehet mirë, u emërtua Neptun.

Dua tu prezantoj me Neptunin siç bëra edhe me Uranin sepse i konsideroj si aktor kryesor në artilerinë e rëndë të kozmosit – ata që diktojnë fatet tona në mënyra që ne mund thjesht ti vrojtojmë dhe nderojmë si plane inteligjente të hyjnores.

Neptuni u zbulua me mendim sesa me vrojtim. Më 23 shtator 1846, astronomi gjerman Johann Gottfried Galle pikasi një pikë të kaltër në qiell, ku matematika franceze kishte treguar se duhej të ishte. Ky ishte një moment i rrallë në historinë e shkencës: për herë të parë, astronomët gjetën një planet nëpërmjet parashikimit matematik, jo nëpërmjet vëzhgimit direkt. Dhe pikërisht ky paradoks i së dukshmes që zbulohet nëpërmjet të padukshmes, do të bëhet vetë karakteri i planetit.

Menjëherë pas zbulimit filloi debati për emrin. Pas deatesh franko-gjermane e miqsh, fitoi tradita: emri Neptune u pranua ndërkombëtarisht, sepse të gjithë planetët e tjerë, me përjashtim të Tokës, kishin emra mitologjikë greko- romakë. Por zgjedhja e emrit nuk ishte thjesht konvencionale – kishte logjikë vizuale. Ngjyra e kaltër e planetit, e ngjashme me oqeanin, e bëri emërtimin e tij pas perëndisë romake të detit pothuajse të pashmangshëm. Tridenti i Poseidonit/Neptun dhe thellësia pa fund u bashkuan natyrshëm me atë pikë të kaltër në errësinë e hapësirës. 

Neptuni nuk ishte thjesht zot i ujërave siç shkurt e kategorizojmë, por ai ishte në fakt zot i gjithçkaje që rrjedh, që ndryshon formë, që ekziston pa kufi të qartë. Në mitologji, Neptuni ishte njëkohësisht krijues dhe shkatërrues – i aftë për dete të qeta dhe stuhira shkatërrimtare. Ai sundonte jo vetëm oqeanet fizikë, por edhe thellësitë emocionale dhe psikike – mund të mendosh edhe oqeanet individuale, ne jemi ujë! Si zakonisht, simbolet bazohen ne korrespondenca dhe jo rastësi poetike.

Astrologjia moderne e pranoi Neptunin si simbolin e gjithçkaje që tretet, që rrjedh, që tejkalon (transcendon). Njëlloj si forca e oqeanit, ai shpalos aftësinë të tresë, depërtojë edhe pa u dukur, përhapet dhe shpërndan. Neptuni ndërlidhet me botën e ëndrrave dhe iluzioneve, fantazive dhe fantazmave, imagjinatës dhe gënjeshtrave. Në nivel më praktik asociohet me kamerat, vellot, filtrat dhe ekranet – si kamufluese të së vërtetës materiale (kam arsye të mendoj se KM yonë ka një Neptun të fortë në hartën e tij ;)). Ndërsa, në shprehinë më të lartë, Neptuni korrespodon me botën shpirtërore, sublimen, dashurinë pakushte, artin e frymëzuar nga hyjnorja, idealet dhe sakrificën. Ai dikton ëndrrat kolektive, iluzionet shoqërore, besimet te e padukshmja dhe shpirtërorja – në thelb, mënyrat se si një gjeneratë i shpëton realitetit (Saturnian – të dukshëm dhe matshëm) ose e transcendon atë.

Atje ku Saturni ndërton mure, Neptuni shkrin ato.

Lëvizja e tij në orbitën e e gjatë perceptohet e ngadaltë nga toka. Neptunit i duhen rreth 165 vjet për të përshkuar të gjithë zodiakun, duke qëndruar rreth 14 vite në çdo shenjë (1/12 e trajektores). Kjo do të thotë se të gjithë personat e lindur brenda të njëjtës dritare prej 14 vjetësh ndajnë të njëjtin Neptun – si pozicion astronomik dhe rrjedhimisht ngjyrim shenje (ai do të ‘veshë’ dhe idealizojë cilësi të trajektores ku po ec). Pra ndikimi i tij është gjeneracional. Ai nuk prek veç individin, sesa prek gjenerata dhe dikton epokat. 

Kjo trajektore e Neptunit nuk është kufi arbitrar i vendosur nga sociologë, historianë apo ndonjë kompani marketingu, por është moment orbital – i matshëm, i llogaritshëm, i verifikueshëm dhe interpretueshëm nga historia. Dhe është pikërisht Neptuni (dhe Plutoni – analizë më vete) ai që dikton pradigmat e një gjenerate, qoftë ajo Z, X, Y, etj etj. Astrologjikisht, millenials, për shembull, janë të gjithë personat e lindur me Neptunin në shenjën e Bricjapit (1984-1998) dhe Plutonin në shenjën e Akrepit (1984-1994) (besoj e kuptoni edhe pse disa e ndajnë tortën te një vit e të tjerë te tjetri, por edhe ndryshimet brenda brezit.)

Kur këto planete ndryshojnë shenjë, diçka në frymarrjen kolektive të njerëzimit ndryshon me to dhe kjo ndodh përtej vullnetit njerëzor, por për arsye të ligjeve kozmike dhe ne thjesht lëvizim me dhe prej tyre. Ndërsa, sociologjia e sheh gjeneratën si produkt të historisë, astrologia e sheh gjeneratën si produkt të ligjeve kozmike të matshme në lëvizjet e trupave qiellorë. Ndoshta e vërteta është se të dyja po lexojnë të njëjtin fenomen, por me instrumente të ndryshme.

Pse të prezantova kaq gjatë Neptunin, gjeneratat dhe paradigmat e tyre?!

Sepse sivjet ne jemi duke përjetuar një moment nga ato që i njeh historia për ndryshime masive të paradigmave njerëzore, në planet, por sigurisht edhe në Shqipërinë tonë.

Ky seksion frymëzohet nga Wind of Change e Scorpions…

Këtë pranverë si Saturni dhe Neptuni u pozicionuan të dy së bashku në pikën 0 të Dashit, fillimit të Zodiakut – grada me rëndësi të veçantë (disa do argumentonin si më e rëndësishmja kolektivisht) si vendi ku nis gjithçka. 

Ky pozicionim ishte një nisje cikli 165 vjeçar për Neptunin dhe 30 vjeçar për Saturnin. Akoma më e rëndësishme ishte (është ende) që u pozicionuan së bashku – gjë që ndodh vetëm çdo 36 vite – një epokë e re dhe një brez i ri! Dhe më epikja (po, se duhen shtresa të tjera si duket në këtë nyje historike) pika 0 e njerëzimit nuk ishte aktivizuar që prej vitit 4163 BC! Një kohë kur ne nuk kemi as histori të shkruar, por dimë se njeriu nisi të organizohet në struktura të reja dhe adhurimi për krijimin dhe mbinjerëzoren kalon nga zonjat e rrumbullakëta fertile, te një zot patriark në qiell. Nuk po flasim për lëvizje të vogla, po flasim për zhvendosje dhe gjurmë që shpalosen në milleniume! Vërtet paradigma të reja!

I ndjekim ato në spiralen e kohës dhe pastaj rikthehemi te e tashmja…

Saturn-Neptun si Zhvendosje Paradigmatike

Nëse Kuhni kishte të drejtë se paradigmat nuk zëvendësohen gradualisht, por nëpërmjet thyerjeve të papritura dhe shpesh dhunshme atëherë historia e takimeve Saturn-Neptun është ndoshta ilustrimi më i qartë i kësaj ideje në nivel kolektiv (jo se Urani dhe Plutoni mbeten pas – por ironikisht tani i kemi të gjitha njëheresh, prandaj vendosa të bëj seri artikujsh dhe kam 4 seminare). Cikli zgjat rreth 36 vjet. Çdo herë që këta dy planetë takohen, diçka themelore në strukturën e realitetit kolektiv ose shembet dhe/ose rilind – jo metaforikisht – literalisht. Edhe pse takimet janë fara që mbillen, jo pak herë historia ka dëshmuar se ka dhe manifestime konkrete të matshme, të regjistruara në ndodhitë e njerëzores fiks në muajt kur ky takim ndodh.

Nëse ndjekim vitet e takimeve përkatëse shohim lëvizje shoqërore të lidhura ngushtë me ndryshime ideologjike që duket se pasqyrojnë cilësitë e shenjave përkatëse. Vitet përkatësisht janë 1846 (Ujor) (vite kur nisin ngjizen paradigma komuniste), 1882 (Dem), 1917 (Luan), 1953 (Peshore), 1989 (Bricjap) dhe i fundit 2026 (Dash).

Parkojmë makinën e memories te ky takim i parafundit – 1989. Një vit që është në kujtesën e shumë personave sot (edhe times që nuk e kam jetuar). Në vitin 1989 Neptuni dhe Saturni takohen në Bricjapin e traditës/së vjetrës dhe në botë dëshmohet një rënie (Neptun) historike e një muri (Saturn) – Muri i Berlinit bie. Muri i Berlinit një ndërtesë kaq simbolikisht saturniane, e ngritur prej betonit dhe frikës, kufi mes një bote dhe tjetrës – rrëzohet tullë pas tulle nga njerëzit që po ëndërronin paradigma të reja lirie (wind of change). Në të njëjtin vit, në Sheshin Tiananmen bëhen thirrje për liri dhe përballen me tanqet e Saturnit – një ndodhi më pak e lumtur e historisë. Ndërkohë, kam bindjen se këto momente thyerje paradigmash të vjetra, ndezën shkëndijat në zemrat e studentëve që një vit më vonë rrëzuan statujat (Saturn) diktatoriale, pushtuan muret (Saturn) e ambasadave dhe u derdhën deteve (Neptun) për një të ardhme ndryshe, një botë me paradigma të reja lirie!

(Nuk e kam jetuar në mish këtë moment, por ka vend të veçantë në zemrën time dhe e kam pasur 10 vite më parë si foto cover në mediat personale.)

Dhe ja ku jemi, 36 vite më vonë – po analizohen nga të gjithë si 36 vite tranzicion. Unë shoh 36 vite që Saturni le takim me Neptunin dhe në ndërgjegjen kolektive shtypin një buton ‘rifresko’ (refresh)!

36 vite më vonë, Revolucioni Flamingo është plot pankarta të një Shqipërie të Re (pradigma të reja)- lëvizje të ngjizur në buzë detit (Neptun) ku pushteti i qeverisë dhe krimit guxuan të ndërtojnë gardhe (Saturn). Ti vesh gardhe ujit do ishte të pretendoje forcën e Saturnit mbi Neptunin – të paktën në kohë afatgjatë, nuk ndodh, as nuk mban! Siç më kujtoi një mësuesja ime para disa ditësh: i ngadalti fiton. I ngadalti është Neptuni dhe ne shqiptarët po e fitojmë detin – gardhet po bien, telat po këputen, dhe unë pres me padurim simbolikë e rradhës saturniane që do shkrihet nga vala neptuniane. 

Si (kanë potencial të) duken paradigmat e reja?

Dua të jap kontekst astrologjik për ngjyrimet e mundshme që marrin këto paradigma të reja. Për këtë do të analizoj çfarë di për Dashin – stacionin e artilerisë – që e njoh mirë dhe pata nderin ti mirëpres këta dy viganët e qiellit mbi pozicionin e Diellit tim të lindjes, pothuajse atje te pika 0 e njerëzimit! 

Dashi – apo fillimi i Rrotës së Zodiakut – simbolizon shkëndijën e parë të jetës – frymën e manifestuar në realitet. Ai lidhet me instiktin dhe forcën e mbijetesës, njëlloj si çdo qënie që sa vjen në jetë. Si i tillë mbart brenda zjarrin e inicimit dhe fuqinë që të ecë para – e pret një rrugë e gjatë! Me siguri ti njeh dikë me energji të shumtë Dashi (po të ketë Hënën sidomos, shprehet shumë klasikisht) – janë individë plot dinamizëm, si fishekzjarre të pa përmbajtur me instikt të fortë, gati për tu përballur dhe bërë heroin e një kauze të drejtë. Dashi ka një energji dhe qartësi që nuk e ka asnjë tjetër sepse këtu fillon jeta e pakorruptuar nga një histori që i vjen para ta krijojë, jo pas ta kujtojë. Misioni i Dashit është në fakt arritja e individualizimit – ai është heroi që sa nis rrugëtimin – kjo shpesh shprehet apo perceptohet si egocentrizëm. (Mos harrojmë se Dielli (vetëdija) quhet i ekzaltuar dhe i lartësuar në Dash sepse ai fiton mbi errësirën (në ekuinoks) – dhe Dielli është ylli rreth të cilit vërtitet gjithë alteleria – nuk ka më “vetë-centrik” se Dielli – është mësuar ti rrotullohen ;).)

Ç’do të thotë kjo për takimin dhe qëndrimin disa vjeçar të Neptunit dhe Saturnit në pikën 0 ku vishen me këto cilësi?

Saturni do kërkojë disiplinë të zjarrit luftarka të Dashit – gjë që rrallë herë e arrin me sukses. Në fakt në Dash është shenja ku Saturni si i ngadaltë, i rëndë, i errët, i ftohtë dhe i vjetër nuk gjen rehat dhe as shprehinë më të mirë të tij. Gjithsesi, do duhet të ndërtohen edhe themele jo perfekte që mbështesin rrugëtimin e ri. 

Neptuni nga ana tjetër do bëjë atë që di të bëjë në çdo shenjë – pavarësisht elementit – injektim në nëndërgjegjen kolektive të paradigmave që mbart shenja përkatëse. Pra këto 14 vite me Neptun në Dash (pavarësisht nuancave dhe ngjyrimeve që do merren nga dinamikat me trupat e tjerë qiellorë) mund të presim një rritje të dëshirës për individualizim, sipërmarrje, pavarësi dhe sovranitet, heroizëm , sens të fortë patriotik (më tepër ndoshta nacionalizëm – çfarë na ndan/dallon nga tjetri) dhe ideale luftarake që do e mbështesin arritjen e këtyre, nëse do jetë nevoja.

Kur e kam analizuar kam ‘paralajmëruar’ potencialin e idealizimit dhe ngritjes në piedestal (pothuajse të pashmangshëm) të figurave luftarake (Dashi është luftëtar, dhe mos harrojmë se asociohet me Marsin (Ares) e luftës). Nuk e gjeta rastësore përfshirjen dhe dhënien të përfaqësisë të personave me vlera të forta patriotike shprehur edhe në role ushtarake, madje as faktin që Shqipëria pret një ambasador ushtarak prej SHBA-së. 

Me Neptunin në Dash (dhe Jupiterin tashmë në Luan) duhet të presim forcim të kultit të individit. Këta individë ose (1) do të jenë shprehia klasike e personave ushtarakë, ose (2) do të jenë luftarakë të jetës, sipërmarrjes dhe shprehjeje të lartë sovraniteti personal. Me pak vullnet të lirë, promovofshim heronjtë e duhur në kohëra ndryshimi paradigmash, edhe pse personalisht (dhe Plutoni në Ujor bashkë me mua) do preferoja që paradigma të çmojë çdo individ si hero dhe jo ti verë kolektives një emër e mbiemër – kjo do ishte inovcioni dhe e reja që Dashi preferon. Kujtesa se askush nuk do të na shpëtojë përveç vetes (edhe Krishti do ishte dakord besoj) do të na vlente këto kohë! Sidoqoftë, me siguri mund të thuhet se kultet e individëve të këtyre 36 viteve ranë, dhe rruga hapet për të reja! Urimi mbetet mos rënçim më në paradigma kultesh individi rradhës, por ato të një sovraniteti kombëtar dhe personal!

Do t’ju le edhe me këtë koment që do meritonte analizë tjetër teknike: 

Ne kemi drejtim të ri, thjesht nuk e njohim ende (plotësisht)!

Shkurtimisht, e them këtë sepse kur bëjmë një evolvim të hartës së pavarësisë shqiptare – që mund ta referojmë si ditëlindja e shtetit tonë të pavarur prej 1912 – Dielli (i cili simbolikisht përfaqëson drejtimin, por edhe drejtuesin e shtetit) ka mbëritur këtë vit në të famshmen pikë 0 të Dashit – pikërisht atje ku nisi ngjizja e paradigmave të reja kolektive, por edhe pranë nyjeve të fatit (hënore). Mbase jo më kot ishim ne shqiptarët një nga fytyrat e para dhe më popullore të një revolucioni që do duhet të jetë mbarëbotëror. Edhe pse ka teknika matëse që mund të na japin perspektivë se kur ne e njohim drejtimin tonë të ri, do të hezitoj ti bëj ato. 

Sot për sot, flamingot janë qeveria ime!

Mbrojta e tokës dhe sovraniteti janë paradigma! 

Me referemcë te Kuhni: paradigma e vjetër nuk zëvendësohet me argumente. Paradigma zëvendësohet kur anomalitë bëhen të padurueshme dhe kur realiteti i vjetër nuk mban dot më peshën e pyetjeve të reja. Kozmosi, sipas ligjit dhe logjikës së vet, e quan këtë moment: Saturn bashkë me Neptunin, në pragun e parë të zodiakut.

Ftesa mbetet për vetëdijësimin kolektiv rreth këtij momenti historik që po jetojmë, si edhe reflektim për zgjedhje më të mençura që mund, dhe duhet, të bëjmë për të ngjizur një shoqëri shqiptare me paradigma të reja lirie, integriteti dhe sovraniteti. Le të mos përsërismi 36 vite tranzicioni, por nisim spirale me kthesa të reja dhe shpresëdhënëse – pse jo edhe me ambicie për shembull mbarëbotëror.

Na priftë e mbara,

Shënime:

Si gjithmonë, për korrektësi teknike duhet të them se një pjesë e analizës vlen thjesht për kuptime të përgjithshme të aktivizimeve kozmike, të tjerat mund të analizohen më personalisht për Shqipërinë duke u bazuar (të paktën) te harta e pavarësisë – 28 Nëntor 1912.

Për të kuptuar më tepër nga historia do të duhet të analizojmë cilket kur Neptuni ka qenë në Dash, Saturni në Dash, si edhe kur janë bashkë. Për këtë do duhet të kthehemi prapsht te viti 1702-1705 kur ishte hera e fundit që Saturni takoi Neptunin në Dash, edhe pse Neptuni nuk ishte ende pjesë e vetëdijes njerëzore, e prezumojmë se ka qenë artileri e rëndë e padukshme e hyjnores. Duket se këto vite në historinë shqiptare përkojnë me disa kryengritje kundër Perandorisë Osmane, si edhe përfundimit të ndikimit të Krypriljoteve shqiptarë me vdekjen e Hysein Pasha Kypriljotit, i cili shërbeu si kryevizir i Perandorisë Osmane nën Mustafain e II. (Kush di histori më tepër se unë dhe AI, është i mirëpritur të pasurojë analizën). Teknikisht ky moment do rezononte ndryshe sepse nuk kemi hartë reference atë të 1912.

Vlen të analizohet cikli i mëvetshëm i Saturnit në Dash, i cili ishte për herë të fundit në vitet 1996-1998. Saturni (rendi) në Dash (individi) shpesh shaploset edhe si marrje e ligjit (Saturni) në duart e tua (Dashi), por edhe luftë patriotike – kjo lehtësisht e dëshmuar para 30 vitesh kur ndodhën trazirat rreth firmave piramidale, atë që disa do e cilësonin si luftë civile, të tjerë si anarki, si edhe Luftën në Kosovë. Edhe në kohën e krijimit të Lidhjes së Prizrenit, Saturni ka qenë në Dash.

Për ti shtuar nuancë analizës: nga 30 Qershori 2026 deri më 26 Korrik 2027, Jupiteri do të pozicionohet në shenjën e Luanit. Ky është një tranzit klasik çdo 12 vjeçar që forcon kultin e individit dhe favorizon drejtuesit/mbretërit, por sivjet ndodh njëkohësisht me përballje nga Plutoni në Ujor (që i jep pushtet masave) dhe me Nyjen e Jugut dhe eklipse të cilat sjellin gjithmonë kthesa fati, sidomos të natyrës “pastruese” apo “shkarkuese” siç them unë. Gjasat janë që çdo ego e inflamuar do përballet me masa të mobilizuara koleltive. Kurën e gjejmë në shesh së bashku!

Kur analizohet harta e Shqipërisë njëkohësisht me atë të KM, SHBA, Izraelit, dhe liderave përkatës (por edhe Kosovës – vit epik) fitohen perspektiva të qarta të ndërlidhjeve mes kombeve dhe figurave politike, dhe diçka mund të thuhet me siguri – sezonet e ardhshme të eklipseve, që në ato të Gushtit, kanë premisa të lëvizin gurë që mund të lëvizë vetëm një inteligjencë dhe fuqi mbinjerëzore. Planetet edhe i diskutojmë, por forcën e eklipseve – kurrë!

Për ilustrim harta e “moshimit” (e progresuar) të shtetit shqiptar deri më sot, e aktivizuar nga pozicionet planetare më 30 Maj kur kemi Hënën e plotë që na vetëdijësoi për aferat qeveritare dhe ndezjen e Revolucionit të Flamingove. Ka shumë elementë për tu analizuar, siç edhe është normale në kushte kur ndodhin ndryshime kaq të mëdha, pasi një cikël në vetvete nuk mjafton për të “garantuar” një manifestim epik të energjisë.

*Titulli origjinal: Epokë Paradigmash të Reja: Spirale Shqiptare

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e faqes Patreon