
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se bujqësia në vend po zhvillohet drejt një modeli më modern dhe konkurrues falë investimeve, planifikimit afatgjatë dhe mbështetjes institucionale.
Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit të organizuar në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve në Podujevë, ku Kurti tha se këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, nga të cilat rreth 72 mijë hektarë janë me grurë.
“Me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim gjithnjë e më modern dhe më konkurrues. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej katër deri në pesë ton për hektar. Procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut, ose në javën e parë të gushtit në disa zona, nëse do të ketë reshje”, tha Kurti.
Ai solli në vëmendje edhe rezultatet e sezonit të kaluar, duke theksuar se në vitin 2025 u korrën mbi 78 mijë hektarë, me një rendiment mesatar prej 4.8 tonësh për hektar dhe një prodhim prej afro 380 mijë tonësh grurë.
Sipas Kurtit, këto rezultate janë fryt i punës së fermerëve dhe politikave mbështetëse të qeverisë.
“Këto rezultate nuk ndodhin rastësisht. Ato janë rezultat i përkushtimit të fermerëve dhe politikave që u japin siguri për të investuar”, u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë njoftoi gjithashtu se skema e subvencioneve për vitin 2026 parashikon rritje të mbështetjes financiare për disa sektorë të bujqësisë.
Sipas tij, subvencionet për perimet janë rritur me 30%, duke arritur në 1.054 euro për hektar për sipërfaqet e mbjella në fushë të hapur ose në sera. Me 30% është rritur edhe mbështetja për pemëtarinë, ndërsa me 20% subvencionet për grurin me rendiment të lartë, mjedrat, patatet, fasulet, mëshqerrat për riprodhim dhe viçat për majmëri. Për vreshtat, mbështetja është rritur me 10%, ndërsa subvencioni prej 7 centësh për çdo litër qumësht të dorëzuar do të vijojë.
Nga ana e tij, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se Kosova mund të arrijë këtë vit një rekord historik në prodhimin e grurit.
“Sivjet të gjitha shenjat tregojnë se do të kemi një rendiment rekord. Projektojmë rreth 400 mijë tonë grurë, çka do të ishte hera e parë që Republika e Kosovës arrin këtë nivel prodhimi. Gjithashtu, rreth 23 mijë fermerë pritet të përfitojnë nga skema e subvencioneve, me pagesa që do të variojnë nga 460 deri në 600 euro për hektar”, tha Muja.