Vendosni fjalën kyçe....

Kos: Shfuqizim të amendamenteve për zonat e mbrojtura e investimet strategjike, Rama: Vetëm modifikime


Komisionerja për Zgjerim Kos, tha se kriteret mjedisore janë një kusht i rëndësishëm në negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas saj, është rënë dakord me qeverinë shqiptare për shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 për ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë të investimeve strategjike.

Sipas saj, Kapitulli 27 për mjedisin mbetet një nga më kërkuesit në procesin e negociatave. Komisionerja theksoi se protestat në Tiranë nuk ndikojnë në procesin e anëtarësimit.

“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin”,– tha Kos.

Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare tha se ligji për zonate mbrojtura nuk do shfuqizohet plotësisht, por do të modifikohet sipas nevojës për përshtatjen e tij me legjilacionin e BE-së.

I pyetur për projektin e investimit në Zvërnec dhe debatet që ai ka shkaktuar në Parlamentin Europian, Rama deklaroi se Komisioni Europian është i informuar për çdo zhvillim dhe se projekti po ecën sipas procedurave dhe standardeve europiane.