
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka mbylur shqyrtimin gjyqësor në çështjen për vrasjen e ish-oficerit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, në një seancë ku nuk munguan tensionet mes palëve.
Gjatë seancës, i pandehuri Ilir Selmanaj ka kundërshtuar akuzat ndaj tij, duke deklaruar para trupit gjykues se nuk ka lidhje me atentatin e ndodhur në gusht të vitit 2019.
“Jam i pafajshëm dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje”, u shpreh Selmanaj gjatë mbrojtjes së tij.
Deklarata e të akuzuarit u pasua nga reagimi i nënës së Santiago Malkos, e cila ishte e pranishme në sallën e gjyqit. Mes emocionesh, ajo e akuzoi drejtpërdrejt Selmanajn si autor të vrasjes së të birit dhe kërkoi dënimin e tij.
“Ky ma ka vrarë djalin! Të dënohet me 28 vite burg ose më sillni djalin në shtëpi ta shoh dhe nxirreni jashtë këtë!”, deklaroi ajo.
Pas përfundimit të debatit gjyqësor, trupi gjykues e shpalli të mbyllur shqyrtimin e çështjes dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Apeli i GJKKO-së pritet të shpallë vendimin më 17 korrik për Ilir Selmanajn, i cili akuzohet nga Prokuroria si pjesë e grupit të njohur si “klani Duka” në konfliktin me grupin e Ervis Martinajt.