Vendosni fjalën kyçe....

“Kam fituar tre trofe për Portugalinë“ – Ronaldo: Do të zgjohem me ndërgjegjen e pastër



Cristiano Ronaldo ka konfirmuar fundin e karrierës së tij me kombëtaren e Portugalisë, pas eliminimit të skuadrës në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, përcjell The Guardian.

Portugalia u mposht 1-0 nga Spanja, me golin vendimtar të shënuar nga Mikel Merino në minutën e 91-të, duke i dhënë fund rrugëtimit të portugezëve në turne.

Pas ndeshjes, Ronaldo bëri të ditur se nuk do të luajë më me fanellën e Portugalisë, duke e mbyllur një kapitull historik të karrierës së tij ndërkombëtare. Sulmuesi portugez mori pjesë në gjashtë Kupa Bote, një rekord në historinë e futbollit, por nuk arriti të fitonte trofeun më të rëndësishëm.

Në deklaratën e tij, 41-vjeçari theksoi se largohet me ndërgjegje të pastër, duke kujtuar sukseset që arriti me përfaqësuesen.

“Do të zgjohem nesër, njësoj siç u zgjova sot. Me ndërgjegjen e pastër, pasi kam dhënë më të mirën si gjithmonë. Kam fituar tre trofe për Portugalinë. Përpara Kristianos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë titull në histori. I lumtur.

Trofeu më i mirë që kam fituar me Portugalinë është Europiani i vitit 2016. Sinqerisht, për mua, të fitosh Europianin është sikur të kesh fituar një Botëror.

Për këtë, e përsëris, largohem me ndërgjegjen e pastër pasi kam dhënë më të mirën për Portugalinë. Nesër do të jetë ditë e re dhe jeta vazhdon”, u shpreh Ronaldo.

Me largimin e tij nga kombëtarja, mbyllet një epokë për futbollin portugez, ku Cristiano Ronaldo u shndërrua në simbolin më të madh të historisë së përfaqësueses, duke e udhëhequr drejt triumfit në UEFA Euro 2016 dhe trofeve të tjerë ndërkombëtarë.