
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në Kosovë, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti deklaroi se kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por edhe dëshmi se Serbia nuk është shkëputur ende nga ideologjia e Millosheviçit.
Ai theksoi se përpjekjet për spastrimin etnik kanë dështuar dhe se Kosova mbeti e lirë falë rezistencës së popullit të saj, UÇK-së dhe mbështetjes së botës demokratike.
“Babai yt ideologjik, Millosheviçi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë.
Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviçi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe.
Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën.
Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviçit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook”.