Ndërsa paraditen e sotme kryeministri Edi Rama kërkoi publikisht që protestuesit e flamingove të distancoheshin nga ata që ai i quajti “protestuesit e sorrave” , në rrugë jo publike dhe konfidenciale ai po shpërndan një raport të diskutueshëm analitik për rrjetet sociale, të hartuar nga një kompani e quajtur “BlackBird.ai”. (shqip: ZoguiZi.ai)
Nuk dihet se kush e ka porositur apo se kush e ka faturuar këtë raport të kompanisë “BlackBird.ai” por fakti që qeveria shqiptare nuk e shpërndan atë publikisht dhe në rrugë zyrtare, jep shijen e një operacioni PR privat dhe jo-institucional.
Rama ja ka nisur disa përfaqësuesëve të qeverive të huaja këtë raport, ndërsa Hashtag.al është njohur nga kanale ndërkombëtare mbi këto episode. Duket se përpjekja e Ramës më shumë ka ngjallur humor te ndërkombëtarët se sa ndonjë konsiderim.
Kompania BlackBird.ai që ka hartuar këtë raport është e regjistruar ne New York, CEO dhe themeluesi i saj kryesor është një shtetas i Emirateve i quajtur Wasim Khaled. Raporti i konsultuar nga Hashtag.al nuk e bën publik porositësin.
Hashtag.al shqyrtoi raportin, i cili thotë se ka studiuar dhe analizuar metadatat e rrjeteve kryesore sociale në data 22 Maj-9 Qershor dhe thelbi i këtij raporti ofrohet që në faqen e parë, duke theksuar se narrative anti-izraelite mori pjesën dërrmuese të shpërndarjeve, apo retorika kundër familjes së presidentit Trump.
Madje raporti thotë se dhe një postim i Hunter Biden për investimet e Jared Kushner, “ndezi rrjetin”.
Bën përshtypje që në këtë raport nuk ekziston fare incidenti i rëndë i datës 30 maj në Zvërnec, ku disa truproja të kompanisë private që kontrollonte territorin privat, ushtruan dhunë me ekstravagancë ndaj një protestuesi.
Nga ana tjetër raporti në mënyrë arbitrare zbaton një parim të manipulimit të narrativës, i cili quhet “parimi i gurit me kështjellën”.
Raporti citon 5-6 adresa private me origjinë në Greqi, ose adresa pro-iraniane e pro-ruse, të cilat janë adresa me jo me tëpër se 300 mijë ndjekës së bashku (më pak se JetaOshQef) dhe pikërisht këtu përdor parimin spekulativ të ngatërrimit të gurit me kështjellën. Këto adresa jepen si referencë të ndërhyrjes së këtyre aktorëve por nuk shpjegohet se në ç’masë kanë ndërhyrë, sa përqind e totalit është ndikimi i tyre. Sepse është njësoj sikur në një kështjellë me 4500 gurë ti të marrësh gjysmë guri të huaj të cilën e gjen në strukturë dhe nëpërmjet saj të interpretosh të gjithë kështjellën.
Janë dhe dy pika të tjera që ky raport nuk i jep dot përgjigje.
E para është vala e influencerëve. Këta të fundit janë shënjestër eksponenciale kur vjen puna për algoritmin e rrjeteve sociale. Kur një influencer kupton që një story apo një postim mbi çështjen e “Flamingove” ka marrë reagime shumëfishin e postimeve të zakonshme, ai jo vetëm shtyhet të vazhdojë postimet, por njëherësh ai është shënjestër eksponenciale.
Zakonisht kjo shënjestër vjen sepse vëmendja e publikut është shumë e madhe për çështjen, ose sepse vetë platforma e rrjetit social i shndërron “Flamingot” në shënjestër eksponenciale, ose të dyja bashkë.
Në raportin e BlackBird.ai që po shpërndahet nga Edi Rama në mënyrë private, nuk ka asnjë shpjegim për rolin e algoritmit të rrjeteve sociale, sepse e kanë këto të fundit rubinetin e metadatave dhe shtimit ose pakësimit eksponencial për një temë të caktuar.
Zero informacion në raport për këtë “detaj”, që në fakt është thelbi i takatit dhe rrezes së ndikimit të rrjeteve sociale.
E dyta është mungesa e çdo të dhëne apo shpjegimi për protagonizmin e mediave të nivelit botëror si CNN, Reuters, apo dhe Shoqatave Ambientaliste dhe rrjeteve të tyre të koordinuara në nivel botëror.
Nëse për algoritmin e Facebook, Instagram, X etj nuk kemi ndonjë provë se si është luajtur me rritjen eksponenciale, për media si CNN dhe Reuters, ne e dimë për fakt se orientimi i tyre editorial është vendimmarrje politike dhe aspak rrjedhë klikimesh apo metadatash.
Dhe në këtë pikë bëhet një pyetje elementare që nxjerr zbuluar thelbin e këtij raporti:
Sa simetrik është interaktiviteti i adresave nga Irani, Greqia apo Rusia, krahasuar me interaktivitetin që shkaktoi Reuters dhe CNN?
Kaq mjafton për të zbuluar këtë raport të BlackBird.ai si një porosi kontraktuale të tipit “Identifiko Iranin, Rusinë dhe Greqinë si fajtorë, se kështu e kemi hallin në Tiranë”.
(Kliko këtu për të shkarkuar raportin e plotë të kompanisë BlackBird.ai)
Këtij halli të kryeministrit i bashkëlidhet dhe pamundësia e tij absolute për ta shpërndarë zyrtarisht këtë raport, sepse i duhet ta mbrojë profesionalisht dhe të bëjë transparente kontratën, e me këtë rast Rama ka nisur e shpërndan nëpër whatsapp këtë raport, që për ironi të fatit është realizuar nga një kompani e quajtur “Zogu i Zi” , njësoj si ata zogjtë që Rama i ka merak t’i ndajë nga Flamingot; dhe njësoj si emri i mbikalimit të famshëm në Tiranë, ku vite më parë Ramës ju demantua dhe shkatërrua betoni që tentoi të ndërtonte aty. / Hashtag.al
