
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për paraqitjen e tij në samitin e Aleancës Euroatlantike dhe për vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se Shqipëria, sipas tij, nuk është përfaqësuar në mënyrën e duhur në samitin e NATO-s, duke kritikuar veshjen dhe paraqitjen e kryeministrit Rama.
Ai pretendoi se mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar Ramën me terma si “shakaxhi”, “hokatar” dhe “servil”, duke argumentuar se këto veprime dëmtojnë imazhin e vendit.
“I vetmi vend që u përfaqësua aty në mënyrën më qesharake në Aleancën Euroatlantike ishte Shqipëria”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kryeministri ka shkelur, sipas tij, rregullat dhe protokollet ndërkombëtare.
Kreu i PD-së foli edhe për protestat kundër qeverisë, të cilat i cilësoi si paqësore dhe të fuqishme, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen tubimeve kundër qeverisë Rama.
Një pjesë e rëndësishme e kritikave të Berishës u përqendrua te financimi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West në Tiranë. Sipas tij, ky vendim përbën një shpërfillje ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Pagesa 4 milionë për Kanye West është fyerje, injorim për shqiptarët”, tha Berisha. Ai e lidhi këtë shpenzim me situatën ekonomike të qytetarëve, duke argumentuar se fondet publike duhet të përdoren për nevoja të tjera.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur opozita vijon akuzat ndaj qeverisë për menaxhimin e fondeve publike dhe zhvillimin e protestave kundër kryeministrit Rama.