
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka akuzuar ministrin Taulant Balla se ka paraqitur pretendime të pavërteta në Strasburg për të justifikuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Në një reagim publik, deputetja e Partisë Demokratike deklaroi se në zonën ku po ndërtohet aeroporti nuk ka ekzistuar më parë një aeroport ndërkombëtar, siç është pretenduar, por vetëm një pistë provash e ndërtuar nga italianët rreth 15 kilometra larg, e përdorur për avionë të vegjël.
“Për të justifikuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonë të mbrojtur, ai pretendoi se në atë zonë ka ekzistuar më parë një aeroport. E pavërtetë”, u shpreh Zhupa.
Sipas saj, edhe nëse merret në konsideratë ekzistenca e një piste të vogël, kjo nuk mund të përdoret si argument për ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar me terminal, pistë, godina, rrugë lidhëse, parkime dhe infrastrukturë tjetër shoqëruese.
Deputetja demokrate argumentoi se një projekt i tillë cenon habitatet natyrore, dëmton shpendët dhe prek ekosistemin e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Zhupa theksoi gjithashtu se Shqipëria ka detyrime kushtetuese dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e kësaj zone, duke iu referuar legjislacionit shqiptar, rregullave të Bashkimit Evropian dhe Konventës së Bernës.
“Vlora dhe jugu meritojnë aeroporte, por me standarde që nuk rrezikojnë as sigurinë ajrore dhe as shkatërrimin e natyrës dhe habitateve”, deklaroi ajo.
Sipas Zhupës, ndërtimi i aeroportit mund të ishte realizuar në alternativa të tjera, pa cenuar një zonë të mbrojtur me rëndësi për biodiversitetin.