Vendosni fjalën kyçe....

Rriten çmimet e naftës mes tensioneve SHBA-Iran


Çmimet e naftës u rritën të martën, ndërsa tregjet financiare shfaqën paqëndrueshmëri, pasi optimizmi i investitorëve për një marrëveshje të afërt paqeje mes SHBA-së dhe Iranit u zbeh nga sulmet e reja amerikane në Lindjen e Mesme.

Kontratat e naftës Brent u rritën me më shumë se 2% gjatë tregtimit në Azi, duke arritur në 98.21 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit lehtë krahasuar me çmimin e fundit të tregtuar të hënën, por mbeti 4.9% më e ulët krahasuar me mbylljen e së premtes. Të hënën nuk pati mbyllje zyrtare të tregut për shkak të festës së Memorial Day në SHBA, shkruan Reuters.

“Jam disi skeptik… Vazhdimisht dëgjojmë se një marrëveshje është pranë, por pyetja është: si do të duket ajo marrëveshje? Kjo është ajo që ka rëndësi. Kur do të hapet Ngushtica e Hormuzit?… Ka ende shumë paqartësi”, deklaroi Joseph Capurso, një strateg në Bankën Commonwealth të Australisë.