
Një plan i raportuar i Turqisë për të përfshirë pretendimet e saj detare në Detin Egje në një projektligj do të krijonte tension me Greqinë dhe nuk do të kishte asnjë efekt ligjor, deklaroi të hënën ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të opozitës në Parlament, Gerapetritis tha se “një akt i njëanshëm nuk mund të përbëjë në asnjë mënyrë një tekst detyrues në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.”
“E drejta ndërkombëtare parashikon që, për përcaktimin e një Zone Ekonomike Ekskluzive, duhet të ketë një marrëveshje mes vendeve me brigje ngjitur ose përballë njëri-tjetrit,” shtoi ai. “Prandaj, asnjë legjislator i brendshëm nuk mund të veprojë në mënyrë detyruese për çështje të tilla.”
Mediat turke kanë raportuar se projektligji i partisë qeverisëse AKP do të “sigurojë ligjërisht të drejtat dhe interesat e Turqisë në Detin e Zi, Mesdhe dhe Egje.” Raportet thonë se drafti pritet të paraqitet pas përfundimit të një feste fetare më 31 maj, shkruan Ekathimerini.
Gerapetritis tha se një veprim i tillë i njëanshëm nga Ankaraja, “përveç faktit që nuk ka asnjë efekt juridik dhe nuk është detyrues, qartësisht është i panevojshëm dhe krijon tension.”
Ai shtoi se Athina nuk do të pranojë asnjë përpjekje turke për të krijuar një “fait accompli”, pra një situatë të kryer.
“Ne nuk do të lejojmë kurrë asgjë që mund të minojë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë,” tha ai.