
Në konferencën rajonale që po mbahet në Tiranë për transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian, Kryeministri Edi Rama deklaroi se çështja e pronave mbetet kyçe për ritmin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Rama tha se teknologjia e re i ka dhënë vendit mundësi për të bërë hapa të shpejtë zhvillimi dhe për të kaluar nga “progresi linear” në “progres eksponencial”.
“Tema e pronave është shumë e rëndësishme dhe përkon me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me fundin e fazës së parë të negociatave me BE, dhe fillimin e fazës së re, një element përcaktues sa i përket ritmit të procesit.
Për vende si i yni, teknologjia e re na ka sjellë bekim të vërtetë, se na ka lejuar të bëjmë hapa të pamundur dhe ta shohim të ardhmen me një frymë tjetër.
Na lejon të përfitojmë nga të gjitha avantazhet e kalimit nga një epokë e progresit linear tek progresi eksponencial” tha Rama