Vendosni fjalën kyçe....

Berisha ndaj Ramës: I tmerruar nga vjedhjet, po shkel Kushtetutën për interpelancat


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, duke e akuzuar atë për shmangie të qëllimshme të përballjes në Parlament.

Sipas Berishës, mungesat e vazhdueshme të kreut të qeverisë në interpelancat e kërkuara nga opozita përbëjnë një shkelje të rëndë dhe të përsëritur të rendit kushtetues.

Kryedemokrati kërkoi shpjegime nga drejtuesit e Kuvendit dhe deputetët e mazhorancës, duke deklaruar se kryeministri nuk vjen në seancë sepse nuk mund t’u përgjigjet dot fakteve të abuzimeve me fondet publike.

“Nëse për të 8 apo 10 herë shkelet në parlament neni 80 i kushtetutës që detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë… e vërteta është se parlamenti del jashtë kushteve të rendit kushtetues. Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite, kreu i ekzekutivit i tmerruar nga vetja e tij nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve, për krimet e rënda, për problemet madhore që mbajnë autorësinë e tij,” – u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha bëri një përmbledhje të disa prej projekteve dhe investimeve kryesore në vend, duke pretenduar se fondet janë zhdukur përmes korrupsionit, ndërsa përmendi edhe kostot e larta të udhëtimeve ajrore të kryeministrit.

“Mali i fakteve dhe dokumenteve e gropos atë. Sepse ai vetë është kreu i sistemit korruptiv. Ku është djegësi i Tiranës 130 mln euro? Ku është? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza 120 mln dollarë kredi japoneze? Ku janë? Qindra mln të tjera të shpenzuara në rrugë. Ku janë? 240 mln euro të 100 fshatrave turistike… Ai fluturon në dy vite, 23 mln euro fluturime me avion taksi. Media informojnë se në udhëtimin e fundit avioni shkon 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij,” – deklaroi kreu i PD-së.

Gjithashtu, Berisha u ndal gjatë te figura e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se mbrojtja që po i bëhet asaj nga ana e mazhorancës ka rënë në sy edhe të partnerëve ndërkombëtarë në Europë.

Sipas tij, në këtë mes nuk bëhet fjalë për mbrojtje thjesht politike të një ministri, por për mbrojtje të vetë kryeministrit, pasi skemat e investimeve të dështuara mbajnë firmën e të dyve.

“Nuk vjen sepse nxin në Shqipëri dhe në Europë me bllokimin, me mbrojtjen e vjedhjeve që ka bërë me Lubi Ballukun… Mendoni se ata nuk e dinë që Rama po mbron veten dhe jo Lubinë? Si kujton ti se nuk do ketë këtu skepticizëm? Në 15 projekte vetëm 1 realizohet. Nuk ka tregues të tillë investimesh, përveç Haitit. Vidhen. I vetmi kryeministër hajdut që banon në saraje, me 9 mijë metra katrorë park,” – përfundoi Berisha nga foltorja e Kuvendit.