Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ka dhënë urdhër që rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar pranë nivelit për armë bërthamore të mos dërgohen jashtë vendit, raportoi Reuters duke cituar dy burime të larta iraniane.
Sipas raportit, ky vendim pritet të komplikojë më tej negociatat mes Teheranit dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Burimet thanë se Trump i ka garantuar Izraelit se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë largimin nga Irani të rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar më herët se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa largimin e uraniumit të pasuruar nga territori iranian.
“Direktiva e Udhëheqësit Suprem dhe konsensusi brenda establishmentit është që rezervat e uraniumit të pasuruar të mos largohen nga vendi”, tha një nga burimet iraniane për Reuters.
Sipas zyrtarëve iranianë, dërgimi jashtë vendit i uraniumit do ta bënte Iranin më të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Raporti thekson se, megjithëse ekziston një armëpushim i brishtë pas luftës që nisi më 28 shkurt, mosbesimi në Teheran ndaj Uashingtonit mbetet shumë i lartë. Burimet iraniane pretendojnë se udhëheqja iraniane dyshon se ndërprerja e luftimeve mund të jetë vetëm një manovër taktike për të krijuar ndjenjë sigurie para rifillimit të sulmeve amerikane.
Negociatori kryesor iranian Mohammad Baqer Qalibaf deklaroi të mërkurën se SHBA-ja po përgatitet për sulme të reja, ndërsa Trump paralajmëroi se Uashingtoni është gati të godasë sërish Iranin nëse nuk arrihet marrëveshje.
Sipas Reuters, para luftës Irani kishte sinjalizuar gatishmëri për të dërguar jashtë vendit gjysmën e rezervave të uraniumit të pasuruar në 60%, por ky qëndrim ka ndryshuar pas kërcënimeve të përsëritura nga Trump për sulme ushtarake.
Një nga burimet iraniane tha se po shqyrtohen alternativa të tjera, përfshirë hollimin e rezervave të uraniumit nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
