Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori meksikan i Sinaloas tërhiqet përkohësisht pas akuzave për lidhje me kartelin e drogës



Guvernatori i shtetit meksikan Sinaloa, Ruben Rocha, ka njoftuar se do të tërhiqet përkohësisht nga detyra, ndërsa vijon një hetim lokal lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij nga Shtetet e Bashkuara, përcjell Reuters.

Në një deklaratë televizive, Rocha theksoi se është i pafajshëm dhe se largohet nga posti me “ndërgjegje të pastër”. Ai i cilësoi akuzat si një sulm ndaj lëvizjes politike në pushtet, pjesë e së cilës është.

Prokurorët amerikanë e kanë akuzuar Rochan, së bashku me zyrtarë të tjerë aktualë dhe ish-zyrtarë, për bashkëpunim me kartelin Sinaloa dhe përfshirje në trafikimin e sasive të mëdha të narkotikëve drejt SHBA-së.

Rocha është pjesë e partisë Morena, njësoj si presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum. Çështja konsiderohet delikate politikisht, pasi ai është gjithashtu aleat i ish-presidentit Andres Manuel Lopez Obrador.

Vendimi për t’u tërhequr vjen në një kohë kur SHBA ka shtuar presionin ndaj Meksikës për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar. Nga ana tjetër, autoritetet meksikane kanë theksuar se çdo kërkesë për ekstradim do të shqyrtohet sipas ligjit dhe vetëm mbi bazën e provave të qarta.

Pas largimit të Rochas, Kongresi i Sinaloas ka emëruar Yeraldine Bonilla si guvernatore të përkohshme.