Vendosni fjalën kyçe....

Bien çmimet e naftës në tregjet botërore pas sinjaleve për marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit



Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, duke prekur nivelet më të ulëta të dy javëve të fundit, mes optimizmit për një marrëveshje të mundshme paqeje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Nafta Brent ra me më shumë se 5 dollarë për fuçi, duke zbritur në 98.45 dollarë, ndërsa nafta amerikane WTI u ul në 91.38 dollarë për fuçi. Të dy kontratat prekën nivelin më të ulët që nga 7 maji.

Lëvizja vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Irani kanë “negociuar në masë të madhe” një mirëkuptim për paqe, i cili do të sillte edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Kjo rrugë detare është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Megjithatë, pavarësisht optimizmit të tregjeve, sipas Reuters, analistët paralajmërojnë se ende ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme mes palëve dhe se bisedimet mund të përballen sërish me pengesa.

Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se rikthimi i plotë i fluksit normal të naftës përmes Hormuzit mund të zgjasë me muaj, për shkak të dëmtimeve në infrastrukturën energjetike dhe pasigurive gjeopolitike në rajon.

Ndërkohë, kompanitë energjetike amerikane kanë shtuar numrin e impianteve aktive të shpimit për javën e pestë radhazi, duke sinjalizuar pritshmëri për rritje të prodhimit në muajt e ardhshëm.