
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës pranë eventit White House Correspondents’ Dinner, që po zhvillohej në Washington Hilton, ku ishin të pranishëm figura të politikës, medias dhe të botës së artit, përcjell Fox News.
Sipas informacioneve paraprake, një person i armatosur hapi zjarr pranë zonës së kontrollit të sigurisë, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe forcave të tjera të rendit. Autori është vënë në pranga, ndërsa një agjent i Shërbimit Sekret u godit, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime serioze falë jelekut mbrojtës.
Gjatë incidentit, presidenti Donald Trump u evakuua menjëherë nga ambientet së bashku me anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh politike në SHBA, ndërsa në Kongresin e Shteteve të Bashkuara vijon një përplasje mbi financimin e Department of Homeland Security, që ka zgjatur mbi 60 ditë. Mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me politikat e emigracionit dhe kanë ngritur shqetësime për burimet në dispozicion të agjencive të sigurisë, përfshirë Shërbimin Sekret.
Incidenti shton presionin mbi strukturat e sigurisë në një periudhë të ndjeshme elektorale, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.