
Një 31-vjeçar i identifikuar si Cole Allen akuzohet se hapi zjarr gjatë eventit White House Correspondents’ Dinner në hotelin Washington Hilton në Uashington, përcjell Fox News.
Sipas autoriteteve, Allen, një shkencëtar kompjuterik nga Torrance, Kaliforni, tentoi të kalonte një pikë kontrolli të Shërbimit Sekret të SHBA-së i armatosur me disa armë. Më pas ai hapi zjarr ndaj një agjenti, i cili mbeti i plagosur, por fatmirësisht ishte i mbrojtur nga jeleku balistik dhe u transportua në spital jashtë rrezikut për jetën.
Agjentët iu kundërpërgjigjën menjëherë, ndërsa Allen u arrestua dhe gjithashtu u dërgua në spital. Nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbias, Jeanine Pirro, bëri të ditur se ndaj tij janë ngritur akuza për përdorim të armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një zyrtari federal me armë të rrezikshme, ndërsa pritet që lista e akuzave të zgjerohet.
Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes nga shërbimet e sigurisë, së bashku me zonjën e parë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Trump e përshkroi të dyshuarin si një “ujk i vetmuar” dhe një person “shumë të sëmurë”.
Nga të dhënat publike, Allen kishte një karrierë të konsoliduar në fushën e teknologjisë. Ai kishte studiuar në California Institute of Technology, ku u diplomua në inxhinieri mekanike, dhe më pas përfundoi një master në shkenca kompjuterike në California State University Dominguez Hills. Gjithashtu kishte zhvilluar disa projekte në industrinë e lojërave dhe kishte punuar si tutor në kompaninë C2 Education.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e sulmit.