Vendosni fjalën kyçe....

Braçe sqarim për kandidimin në Tiranë: Nuk kam folur me Ramën, nuk më ka nxjerrë ai



Deputeti Erion Braçe ka reaguar publikisht lidhur me diskutimet për një kandidim të mundshëm të tij për Bashkinë e Tiranë, duke hedhur poshtë çdo lidhje me një vendimmarrje të drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Në një postim në rrjetet sociale, Braçe thekson se nuk ka pasur asnjë bisedë me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje dhe se nuk është nxitur prej tij për të hyrë në garë.

“NUK KAM FOLUR ME EDI RAMEN PER KANDIDIMIN TIM” dhe “NUK ME KA NXJERRE EDI RAMA TE KANDIDOJ”, shprehet ai, duke theksuar se qëndrimi i tij lidhet me parime dhe me nevojën për një proces më demokratik brenda partisë.

Sipas Braçes, ideja për një kandidim është diskutuar më herët në strukturat e Partisë Socialiste dhe lidhet me kërkesat e qytetarëve dhe socialistëve të Tiranës.

Ai mohon gjithashtu çdo përplasje politike, duke theksuar se fokusi i tij mbetet te problemet e qytetit dhe jo te konfliktet brenda partisë.

“NUK MERREM ME NJERËZIT, POR ME PARIMET DHE ÇËSHTJET QË NDIKOJNË NË JETËN E QYTETARËVE”, shprehet ai, duke shtuar se Tirana përballet me probleme në shërbime dhe funksionimin e institucioneve vendore.

Në përfundim, Braçe thekson se synimi i tij është t’i shërbejë qytetarëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes lokale.