
Këshilltari për çështjet ekonomike në Partia Demokratike e Shqipërisë, Dorjan Teliti, ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës ekonomike në vend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehet se ndërsa vendet e tjera marrin vendime për të përballuar krizat, në Shqipëri qeveria kufizohet vetëm në vëzhgim.
“BOTA QEVERIS KRIZAT… NË SHQIPËRI KRIZAT QEVERISIN VENDIN! Bota vepron… ndërsa qeveria shqiptare monitoron…”, shkruan Teliti.
Ai rendit disa prej problematikave kryesore ekonomike, duke përmendur transportin, rritjen e çmimeve dhe kostot e biznesit.
Sipas tij, transporti po shkon drejt kolapsit, çmimet e ushqimeve dhe qiratë po rriten, ndërsa biznesi po përballet me pasiguri dhe kosto të larta, ndërkohë që qeveria “vetëm monitoron”.
Teliti kritikon gjithashtu mungesën e reagimit institucional ndaj skandaleve të abuzimit me fondet publike, duke theksuar se qytetarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike pa ndërhyrje reale nga autoritetet.
Në përfundim, ai akuzon qeverinë për mungesë veprimi dhe përgjegjshmërie në menaxhimin e situatës ekonomike në vend.