
Albin Kurti ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së një serie zgjedhjesh të njëpasnjëshme nëse deri më 28 prill nuk arrihet zgjedhja e presidentit.
Kreu i qeverisë theksoi se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi mund të futet në një cikël të përsëritur zgjedhor. Ai u shpreh: “Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë”.
Ndërkohë, Albulena Haxhiu ka ofruar një kompromis për të zhbllokuar situatën, duke deklaruar gatishmërinë për të lënë postin e kryetares së Kuvendit në dispozicion të opozitës. Megjithatë, ajo shprehu dyshime mbi vullnetin e partive opozitare për të arritur një marrëveshje: “Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat 5 vjeçar dhe mua po më duket si ‘deja vu’…”.
Nga ana tjetër, Lutfi Haziri e krahasoi situatën aktuale me bllokadën e vitit të kaluar, duke e cilësuar si një model të përsëritur të sjelljes politike nga Kurti: “…gjithmonë është diçka që zotëri Kurti e ka një qëllim por nuk e ndryshon asnjëherë, ndryshon metodë por jo kërkesa e tij”.
Ngjashmëri me krizën e mëparshme sheh edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili vlerëson se palët kanë hyrë sërish në një fazë akuzash reciproke. Sipas tij, kjo strategji ka funksionuar më parë dhe po përsëritet: “Tashmë ka filluar fushata e fajësimeve… kjo është hipokrizi që fatkeqësisht ka pasur sukses herën e kaluar…”.
Ai nuk përjashton mundësinë që Vetëvendosje të propozojë një kandidat të ri për president, por thekson se një figurë konsensuale duhet të dalë nga marrëveshja e gjerë politike dhe jo të imponohet: “Është paradoksale të imponohet kandidati konsensual…”.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se i konsiderojnë të mbyllura përpjekjet për një marrëveshje. PDK refuzoi ofertën për të marrë postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për president, ndërsa LDK nuk pranoi as këtë alternativë dhe as një bashkëpunim qeverisës me Kurtin, shkruan Koha.
Afati përfundimtar është dita e martë, kur legjislatura e dhjetë duhet të zgjedhë presidentin. Nëse kjo nuk ndodh, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.