Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Pallati i djegur pranë QSUT do të rindërtohet, banorët do të mbështeten me bonus qiraje



Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pallati i përfshirë nga flakët në kompleksin pranë QSUT në Tiranë do të rindërtohet plotësisht, ndërsa banorët e prekur do të mbështeten deri në rikthimin në banesat e tyre.

Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, Rama u shpreh se familjet e prekura do të përfitojnë bonus qiraje, si dhe ndihmë për dëmet e shkaktuara në apartamente.

Sipas tij, godina do të rindërtohet nga vetë ndërtuesi, ndërsa procesi pritet të mos zgjasë shumë, pasi struktura bazë e objektit ekziston.

Kryeministri theksoi se zjarri ishte një moment i rrezikshëm për jetët e banorëve, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe forcave të rendit, situata u menaxhua pa viktima dhe pa të plagosur rëndë.

Ai shtoi se hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë nisur nga një shkëndijë elektrike, ndërsa verifikimet përfundimtare janë ende në vijim.

Rama kritikoi gjithashtu reagimet publike pas ngjarjes, duke i cilësuar si të nxituara dhe të pabazuara në ekspertizë, ndërsa nënvizoi se, sipas verifikimeve fillestare, ndërtimi kishte përdorur materiale të certifikuara.

Në përfundim, ai garantoi se banorët nuk do të lihen vetëm dhe do të mbështeten deri në rikthimin e tyre në një banesë të re dhe të rindërtuar plotësisht.