Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i ILD-së takim zyrtar në SHBA, në fokus integriteti dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore



Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka mbajtur takime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Departamentin e Drejtësisë së SHBA.

Gjatë vizitës, Metani prezantoi rolin e institucionit që drejton dhe theksoi rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur, por njëkohësisht të përgjegjshëm, si element thelbësor për funksionimin e demokracisë.

Në zyrën e OPDAT, ai zhvilloi takime me zëvendësdrejtorin George Huber dhe drejtoren rajonale për Evropën, Pragna Soni. Në këto takime, Metani u shoqërua nga këshilltari ligjor rezident në Shqipëri, Dave Backman, si dhe nga inspektori Periand Teta.

Diskutimet u fokusuan në rritjen e standardeve të integritetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor shqiptar, si dhe në forcimin e mekanizmave të inspektimit dhe llogaridhënies për gjyqtarët dhe prokurorët.

Metani nënvizoi se garantimi i standardeve të larta etike dhe profesionale është kyç për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për forcimin e shtetit të së drejtës.

Bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e arritur dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin, përmes asistencës teknike dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, në funksion të avancimit të reformave në drejtësi dhe rritjes së besimit të publikut te institucionet.