
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime për projektligjin për portet turistike, pak para nisjes së seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një konferencë për shtyp, Tabaku deklaroi se i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Europian, si dhe institucioneve të tjera europiane, duke i informuar për shkeljet që sipas saj përmban kjo nismë ligjore.
Ajo theksoi se ndryshimet bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prekin kapituj të rëndësishëm të legjislacionit europian, duke e cilësuar projektligjin si një tjetër rast që favorizon interesa të veçanta dhe jo interesin publik.
Sipas Tabakut, dhënia e pasurive publike pa garë dhe transparencë cenon konkurrencën dhe dëmton ekonominë, ndërsa kritikoi edhe mënyrën e përshpejtuar të miratimit të ligjit, pa debat të mjaftueshëm.
Në përfundim, ajo i bëri thirrje institucioneve europiane të rrisin vëmendjen ndaj zhvillimeve në Shqipëri, duke theksuar se ligje të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.