Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi socialistëve: Për çdo gjë që propozon opozita, ju kartonin e kuq e keni gati



Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka mbajtur një qëndrim kritik gjatë seancës plenare, duke akuzuar mazhorancën se po e trajton opozitën me urrejtje dhe jo si kundërshtar politik.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi iu drejtua edhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke i kërkuar të jetë mbi palët dhe të mos ndjekë verbërisht vendimmarrjen e shumicës.

“Për çdo gjë që propozon opozita, ju kartonin e kuq e keni gati. I rrëzoni ligjet vetëm sepse vijnë nga opozita. Ju nuk na trajtoni si kundërshtar politik, por me urrejtjen më të madhe,” u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se kërkesa e opozitës për të futur në rend dite dy projektligje nuk u mor parasysh, pavarësisht se bëhej fjalë vetëm për përcaktimin e një date për shqyrtim.

Në vijim, Bardhi i bëri thirrje Peleshit të dalë “njëherë nga rreshti” dhe të luajë rolin e tij institucional mbi palët, duke përmendur edhe raste të mëparshme kur drejtues të Kuvendit kanë shfaqur qëndrime më të pavarura.