Vendosni fjalën kyçe....

Braçe në Kuvend publikon mesazhet e fermerëve: Po detyrohen të derdhin qumështin në kanal



Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka zbuluar në Kuvend mesazhe të ardhura nga fermerët e Lushnjes lidhur me përplasjet me kompaninë “Lufra”, çështje për të cilën po zhvillohet edhe interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla.

Sipas mesazheve të lexuara nga Braçe, fermerët ankohen se një fushatë kundër qumështit të prodhuar në fshat po i dëmton rëndë, duke e cilësuar atë si të sponsorizuar nga fabrikat e përpunimit. Ata pretendojnë se kompania ua blen qumështin me çmime shumë të ulëta, ndërsa në disa raste janë detyruar ta derdhin atë në kanal.

Një prej mesazheve thekson se për banorët e zonës lopët janë burimi i vetëm i të ardhurave, ndërsa një tjetër pretendon se çmimi i blerjes ka rënë nën 50 lekë për litër.

Po ashtu, sipas fermerëve, në një mbledhje pronarja e kompanisë ka pranuar se është më e leverdishme të blihet qumësht pluhur sesa prodhimi vendas, për shkak të kostos më të ulët.

Braçe deklaroi se situata është bërë shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje, duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi serioze për të mbijetuar ekonomikisht.