Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi i përgjigjet me ironi Metës: “Fansit të Zegjinesë” s’i kërkoj leje për të udhëtuar


Monika Kryemadhi ka reaguar me tone të forta dhe ironi pas deklaratave të ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta, i cili e etiketoi si “Zegjina e SPAK”.

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Kryemadhi i është përgjigjur “flakë për flakë” duke mohuar kategorikisht të jetë e penguar për të udhëtuar jashtë vendit dhe duke thumbuar ish-Presidentin Meta si “fans i Zegjinesë”.

Kryemadhi theksoi se zotëron një vizë amerikane me hyrje-dalje të shumta dhe se, përveç detyrimit për t’u paraqitur në SPAK, nuk ka asnjë pengesë për të udhëtuar drejt çdo vendi që dëshiron.

“Një sqarim i vogël në këtë ditë të nxehtë për të ftohur mendje të nxehura nga dezinformues tradicionalë. Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër, përveç ditës që drejtësia ka vendosur të jem në ‘detyrim paraqitje’ pranë SPAK,” shkroi Kryemadhi.

Duke publikuar edhe një foto të vizës së saj amerikane, ajo vijoi ironinë duke përmendur Metën dhe zëdhënësin e Partisë së Lirisë, Tedi Blushin:
“Nuk kam nevojë të marrë leje askund, madje as fansit të Zegjinesë, e as fansit të garderobës sime, Tedi Blushit, për të udhëtuar drejt çdo vendi ku kam viza pune.”

Kryemadhi dhe Meta, vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes për akuzat, kundërakuzat dhe përplasjet e fundit që lidhen me hetimet e SPAK dhe zhvillimet brenda Partisë së Lirisë.