
Një operacion i SPAK ka goditur një grup kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Sipas informacioneve paraprake, janë lëshuar 10 masa sigurie, ndërsa deri tani janë arrestuar katër persona.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se mes të arrestuarve ndodhet edhe Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bishja”, i cili konsiderohet si një nga personazhet kryesore të grupit. Ai është kapur gjatë operacionit të forcave speciale në një vilë në një zonë rezidenciale.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar edhe Igli Kamberi, i dyshuar si kreu i grupit kriminal. Sipas hetimeve, ai akuzohet edhe për përfshirje në vrasjen e një shtetasi italian.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të zbardhin më shumë detaje mbi aktivitetin e grupit dhe veprat penale për të cilat akuzohen anëtarët e tij.