
Presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, ka emëruar Ahmadou Al Aminou Lo si kryeministrin e ri të vendit, pas shkarkimit të Ousmane Sonko mes tensioneve të vazhdueshme politike mes dy liderëve, përcjell DW.
Sonko u shkarkua të premten, çka solli edhe dorëheqjen dhe shpërbërjen e të gjithë qeverisë.
Ahmadou Al Aminou Lo, i cili tani pritet të formojë kabinetin e ri qeveritar, ka mbajtur më herët postin e drejtuesit të degës së Senegalit në Bankën Qendrore të Shteteve të Afrikës Perëndimore dhe ka shërbyer si ministër shteti pranë presidencës, si edhe sekretar i përgjithshëm në qeverinë e drejtuar nga Sonko.
Në deklaratën e presidencës thuhet se Lo “njeh mirë funksionimin e ekonomisë dhe financave”, në një kohë kur Senegali po përballet me një krizë të rëndë borxhi publik.
Pas emërimit, kryeministri i ri deklaroi në televizionin shtetëror se vendi ndodhet në një “situatë të vështirë financiare”, duke theksuar gjendjen emergjente të financave publike dhe ndikimin e saj në ekonomi.
Sipas të dhënave, borxhi publik i Senegalit ka arritur në 132% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Situata u përkeqësua pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar pezulloi një kredi prej 1.8 miliardë dollarësh për vendin, pas zbulimit të raportimeve të pasakta mbi borxhin.
Faye dhe Sonko, dikur aleatë politikë në partinë Pastef, kishin shfaqur mosmarrëveshje të hapura lidhur me negociatat për rifillimin e programit me FMN-në.
Ndërkohë, Sonko pritet të rikthehet në Parlament dhe mund të marrë drejtimin e Asamblesë Kombëtare, një zhvillim që do t’i jepte më shumë ndikim politik përballë presidentit Faye.