Vendosni fjalën kyçe....

TikTok padit qeverinë amerikane


TikTok po padit qeverinë amerikane në një përpjekje për të ndaluar zbatimin e një projektligji të miratuar nga Kongresi muajin e kaluar që kërkon të detyrojë pronarin e platformës me bazë në Kinë, ByteDance, të shesë aplikacionin ose të përballet me një ndalim të plotë.

Në prill, presidenti amerikan Biden nënshkroi një që i jep ByteDance 270 ditë për të hequr dorë nga biznesi i saj në SHBA. Nëse nuk e përmbush, TikTok do ndalohet nga dyqanet e aplikacioneve që u shërbejnë klientëve amerikanë.

Në padinë që u ngrit të martën në Gjykatën e Apelit të SHBA për qarkun Uashington DC, TikTok argumentoi se ligji shkel mbrojtjen kushtetuese të fjalës së lirë.

Një numër ligjvënësish amerikanë kanë këmbëngulur për vite që TikTok përbën një “kërcënim të sigurisë kombëtare” për shkak të pronësisë së tij kineze dhe kanë kërkuar ta detyrojnë atë të ndërpresë lidhjet me kompaninë e tij mëmë ByteDance.

Përpjekjet për të frenuar aplikacionin popullor të ndarjes së videove kanë vazhduar që nga viti 2020 si nën administratën Trump ashtu edhe atë Biden. Qeveria federale dhe dhjetëra shtete kanë ndaluar tashmë përdorimin e TikTok në pajisjet në pronësi të qeverisë.