Vendosni fjalën kyçe....

Forcimi i Lekut e tkurri bilancin e sektorit bankar me 30 miliardë lekë në 2023


Forcimi i lekut në kursin e këmbimit e tkurri vlerën e aktiveve të sektorit bankar me 30 miliardë lekë vitin e kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në 2023, totali i aktiveve të sektorit bankar u rrit me afërsisht 5% dhe arriti një vlerë totale prej 1.96 trilionë lekësh. Në mungesë të efektit negativ të kursit të këmbimit, rritja e aktiveve të sektorit do të kishte qenë afërsisht 7%.

Në rritjen nominale prej rreth 100 miliardë lekësh të aktiveve, kontributin kryesor në rritjen e aktiveve e ka dhënë zgjerimi i investimeve në tituj me rreth 50 miliardë lekë dhe atyre në kredi me rreth 30 miliardë lekë. Veprimet me thesarin dhe ndërbankare u shtuan me 40 miliardë lekë nga rritja në zërin “marrëdhënie me bankën qendrore”.

Zëri i vetëm që regjistroi rënie gjatë periudhës ishte ai i veprimeve ndërbankare që ra me 9 miliardë lekë (ose 6%), ndikuar nga pakësimi në nivelin e depozitave me bankat dhe institucionet e tjera financiare, kryesisht jorezidente. Tkurrja e fondeve të provigjioneve të sektorit bankar kontribuoi në rritjen e aktiveve me 1 miliardë lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në veçanti aktivet dhe detyrimet në valutë vitin e kaluar u zgjeruan në përmasa të vogla, përkatësisht me 1% dhe 2%. Por, të korrigjuara për efektin e ndryshimit të kursit të këmbimit, këto norma rritjeje llogariten përkatësisht në 10% dhe 12%.

Pesha e aktiveve dhe detyrimeve në valutë ndaj totalit të bilancit ka mbetur e qëndrueshme vitin e kaluar.

Në fund të periudhës, aktivet dhe detyrimet e sektorit bankar në valutë zinin përkatësisht 51% dhe 50% të totalit të bilancit, dhe këto raporte janë ruajtur gjatë periudhës pavarësisht efektit të mbiçmimit të kursit të këmbimit. Në mungesë të efektit të kursit të këmbimit, pesha e aktiveve dhe detyrimeve në valutë do të ishte rritur ndjeshëm.

Në vlerë absolute, bankat raportuan nivele të përafërta të aktiveve dhe detyrimeve në valutë, në vlerat 1,000 miliardë dhe 983 miliardë lekë, duke paraqitur kështu një pozicion të ekuilibruar të aktivitetit në valutë për sektorin bankar.

Nga ana e aktiveve në valutë, zërat me peshën më të madhe mbeten aktiviteti kreditues dhe investimet ndërbankare. Por, gjatë tre viteve të fundit është vërejtur edhe rritje e peshës së investimeve në letrat me vlerë.

Forcimi i monedhës vendase ka pasur ndikim më të madh në zërat kryesorë të bilancit si veprimet me titujt, veprimet me thesarin dhe ato ndërbankare (nga rreth 10 miliardë lekë).

Nga ana e detyrimeve në valutë, struktura paraqitet më e qëndrueshme në vite dhe mbizotërohet nga depozitat në valutë.

Zërat e mësipërm kanë përcaktuar në masën më të madhe ndjeshmërinë e sektorit bankar ndaj ndryshimeve në kursin e këmbimit. Në krahun e detyrimeve, efekti i kursit mbi vlerën e raportuar të depozitave në valutë vlerësohet në rreth 25 miliardë lekë.

Efekti pakësues statistikor i kursit të këmbimit është ndjerë edhe mbi pjesën në valutë të kapitalit të sektorit bankar, me një vlerë rreth 15 miliardë lekë. Leku shënoi një mbiçmim të fortë në kursin e këmbimit vitin e kaluar, veçanërisht kundrejt euros.

Në fund të vitit 2023, rënia vjetore e kursit ishte më shumë se 9%. Kjo ka ndikuar negativisht madhësinë e bilancit të sektorit bankar./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor