Vendosni fjalën kyçe....

Sarandë/ 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi, i konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër


Gjykata e Sarandës dënoi sot me 2 vite burg biznesmenin 68 vjecar Pando Papuçi, pronar i vetëm i firmës “2P-SJ” duke e shpallur fajtor për “Ndërtim të paligjshëm”, për qëllime fitimi.

Gjithashtu ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të objektit pallat 7 katësh që po e ndërtonte firma në lagjen nr.1, në hyrje të rrugës nr.5,  në qytetin e Sarandës.

Lidhur me këtë dosje më 22 shkurt 2024 u arrestua Romina Pulaj, me detyre kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë pasi u akuzua  për ‘Shpërdorim detyre’, pasi kishte lejuar ndërtimin e pallatit pa leje, ndërsa biznesmeni, pronar i firmës që ndërtoi pallatin 7 katësh ‘2P-SJ, u shpall në kërkim.

Ky i fundit më vonë u vetëdorëzua dhe hetimi ndaj tij vijoi në gjëndje të lirë.

Për Romina Pulaj, Martin Arapi dhe Nertion Jano të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” është veçuar gjykimi.

Për biznesmenin u aplikua gjykimi nëpërmjet ritit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria Sarandë e përfaqësuar nga prokurore Silvana Belishta kërkoi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Pando Papuçi, për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” i kryer për qëllime fitimi, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. Në aplikim të ritit te gjykimit të shkurtuar, uljen e këtij dënimi me 1/3 dhe në aplikim të nenit 59 të K.Penal, të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burg dhe konvertimi i këtij dënimi në shërbim prove me detyrimin që të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

Ndërsa gjykata vendosi deklarimin fajtor të biznesmenit dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim e në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfundimisht të dënohet me 2 (dy) vjet burgim.