Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk pyeta për jetën time”- Shqiptari hero në Itali, shpëtoi foshnjën që kishte rënë në liqenin e ngrirë


Një shqiptar është kthyer në hero në Itali pasi ka shpëtuar të hënën në mëngjes një familje turistësh të cilët ranë në ujërat e ngrira të liqenit Braies, pasi po bënin një shëtitje mbi akull.

Mediet italiane shkruajnë se Tomorr Buzi ishte në një udhëtim në liqenin Braies me gruan dhe vajzat e tij, kur dëgjoi britmat e një gruaje që kërkonte dëshpërimisht ndihmë, si dhe klithmat e një foshnje, djali i saj katër muajsh.

Pa hezituar, Buzi vrapoi për të shpëtuar të voglin duke rrezikuar edhe jetën e tij.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Buzi u zvarrit dhe u rrotullua me kujdes në akull, për të arritur tek fëmija në rrezik edhe pse rrezikonte të binte vetë brenda.

“Askush nuk mund t’i rezistonte kurrë klithmave të një gruaje që kërkon ndihmë, aq më pak klithmës së një foshnje. Ai ishte aq i vogël dhe i pafuqishëm. Kur e pashë, i prekur nga instinkti, vrapova menjëherë për ta shpëtuar. Është çështje sekondash në të cilat ti nuk për asgjë tjetër vecc misionit tënd. I imi, në atë moment, ishte ta shpëtoja atë.”-thotë shqiptari.

Nuk i kushtoi rëndësi rrobave që kishte veshur, as celularit dhe portofolit që kishte në xhep.

“Gruaja ime dhe vajzat e mia kishin frikë, unë jo. Në atë moment provova gjithçka. Por kurrë nuk kam pasur frikë për jetën time. Ai fëmijë ishte në rrezik, ndërsa familja ime ishte e sigurt dhe kjo mjaftoi për të më bërë të drejtoja veten për nga i vogli”.

Pasi e nxori nga uji i ngrirë, Tomorr Buzi e vendosi foshnjën në sipërfaqen e ngrirë duke pritur ndihmë. Ai vetë qëndroi në ujin e akullt. Pasi mbërriti ndihma, të dy u shpëtuan.

Pas disa ditësh, burri thotë se është krenar për veprimin e tij dhe tregon se sa krenarë janë edhe gruaja dhe vajzat e tij, pavarësisht shqetësimit të fillimit.

“Më vjen keq që shqetësova familjen time, por e dija që po bëja gjënë e duhur dhe e di që edhe ata thellë brenda vetes menduan të njëjtën gjë. Nëse do të kthehesha, do ta bëja përsëri.”- përfundon 43-vjeçari nga Romano.

Ai mori urime nga të njohur, miqtë e tij por edhe nga kryetari i bashkisë në Romano, Sebastian Nicoli, i cili mëngjesin e së enjtes takoi dhe falenderoi personalisht bashkëqytetarin e tij.

“Rreshteri më tha se Tomorri, kur pa fëmijën dhe prindërit e rinj në rrezik, nuk ngurroi t’i vinte në ndihmë. Pavarësisht se familja e tij e shqetësuar i kërkonte të mos rrezikonte jetën e tij, Tomorr u zvarrit mbi akullin e brishtë derisa arriti tek foshnja, e cila qante gjithnjë e më dobët. Rreshteri, i pushtuar nga emocioni për të kujtuar ato momente dramatike, më tregoi se si e priti vetë, nga krahët e Tomorrit, këtë fëmijë, i cili i shpëtoi vdekjes së sigurt vetëm falë ndërhyrjes heroike dhe në kohë të bashkëqytetarit tonë. Kërkova që sot në mëngjes të mund të takohem personalisht me zotin Tomorr Buzi, të kem nderin t’i shtrëngoj dorën, ta falënderoj dhe të shpreh, në emër të gjithë komunitetit tonë, sa krenarë jemi për të.”– kryebashkiaku Nicoli.